10 Korrik, 2018 - 12:30 pm
Premiera e filmit dokumentar “Rrënjët shqiptare-dheu danez”, për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Danimarkë, do të shfaqet më 22 korrik në Prizren.
Regjisori Ixhet Lutfiu duke qenë pjesë e ekipit të radio televizionit “Zëri i Kosovës” që nga viti 1991 ka arritur të grumbullojë materialin e nevojshëm dhe të shfrytëzoj në mënyrë profesionale arkivin e këtij mediumi të rëndësishëm kombëtar për të realizuar këtë dokumentar.
Dokumentari përshkruan kronologjikisht (që nga viti 1965) veprimtarinë historike dhe kulturore të shqiptarëve të Danimarkës dhe është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë, që po promovohet tani, përfshin vitet 1965-1999 dhe trajton mbi 20 tema, kurse pjesa e dytë që përfshin vitet 2000-2018 trajton rreth 40 tema të fushave të ndryshme si psh arsimi, kultura, sporti e muzika, shkruan ata.
Ky film dokumentar ka për qëllim nxitjen edhe të shqiptarëve në vendet e tjera perëndimore për të bërë edhe dokumentar të tjerë që të mos harrohet kontributi i mërgimtarëve.
Premiera e filmit do të jetë në Kino Lumbardhi më 22 korrik, duke filluar nga ora 20:30./KultPlus.com