14 Gusht, 2019 - 11:40 pm
“Fast & Furious: Hobbs & Shaw” aktualisht po shfaqet nëpër kinematë dhe nëse e keni parë atë, e dini që ky episod po e çon këtë franshizë më shumë kah zhanri fantastiko-shkencor.
Në këtë episod, rolin kryesor negativ (Brixton) e ka aktori i famshëm, Idris Elba, por kërcënimi kryesor është organizata “Eteon”, e udhëhequr nga “Drejtori misterioz” të cilin s’mund ta shohim, por vetëm ta dëgjojmë përmes zërit të shtrembëruar (që e flet Ryan Reynolds).
Ende nuk dihet se kush është “Drejtori misterioz”, por regjisori David Leitch ka folur në lidhje me këtë.
Duke folur për “Empire”, Leitch tha: “Unë e di se kush është. E kemi mbajtur atë nën ‘ambalazh’ dhe mendoj se kjo ka ardhur për arsye se ndoshta po dëshirojmë ta ndryshojmë se kush është ‘Drejtori’. Por, a mund të jetë person? Po. A mund të jetë AI (Inteligjenca Artificiale)? Po. Mund të jetë shumë gjëra”.
Sipas spekulimeve më të fundit, “Drejtori” mund të jetë Keanu Reeves – e kjo do të ishte një shtesë interesante në franshizën “Fast & Furious”.
Duke u zgjeruar në mendimet e tij të shumta rreth AI-së, regjisori shtoi: “A do të jetë teknologjia fundi ynë? Doja të mbaja organizatën nën hije, në kuptimin e asaj që ne mund ta ndërtojmë atë në të ardhmen, por kemi të bëjmë shumë me teknologjitë e avancuara, me AI-në, me temat klasike në filmat fantastiko-shkencorë”.
“Kemi aftësinë të bëjmë gjërat që janë speciale dhe kreative, gjëra që një kompjuter kurrë nuk do të mund t’i bëjë. Përndryshe, ne do të konsumohemi. E kjo është ajo gjëja negative aktualisht”, përfundoi ai. /KultPlus.com