27 Shtator, 2019 - 5:30 pm
Një histori që e kthen hakmarrjen si përgjigje ndaj padrejtësive e dhuna bëhet një cikël i mbyllur shkatërrues. Gjatë një akti hakmarrës, Drita humb jetën.
Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Ky është përshkrimi për filmin “Drita”, nën regji të amerikanit Daniel Kruglikov, në faqen e Festivalit të Filmit në Zürich.
Sipas kritikëve zviceranë, filmi është një poemë tërheqëse kinematografike për luftën me traditën, nevojën për ndryshim dhe fuqinë e dashurisë, transmeton KultPlus.
Në edicionin e 15-të të këtij festivali, i hapur të enjten, do të debutojë edhe filmi dramë që shtjellon një histori të dhimbshme hakmarrjeje në Kosovë.
I xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, “Drita” ka në rolet kryesore aktorët Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.
“Flamuri e di kush është ekzekutuesi i saj, por çfarë duhet të bëjë me këtë informacion? Për bredharakun Flamur ka pasur vetëm dhunë e luftë; atij iu desh të arratisej.
Drita, sidoqoftë, nuk mund të ikte. Familja e saj, violina e saj, kultura e saj: ajo ishte në shtëpinë e vet në Kosovë”, thuhet në përshkrimin e filmit të afishuar në faqen zyrtare të Festivalit të Filmit në Zürich. “Dhe kështu ai lë pas vete dashurinë e jetës së tij dhe e çon atë drejt mjerimit.
Drita kuturiset në një cikël shkatërrimtar hakmarrjeje, ku rivalët bëhen një me dhunën dhe jeta bëhet një me vdekjen. Si mund të kalohet ky rreth?”
Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.
Të hënën, më 30 shtator, ky film do të ketë “shfaqje speciale” (special screening) në festivalin e mirënjohur zviceran.
“Është hera e parë që do të shfaqet. Nga aty fillon rrugëtimi i tij nëpër festivale”, ka thënë Armond Morina, bashkëproducent i filmit./koha.net/KultPlus.com