21 Prill, 2020 - 2:19 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës, Vlora Dumoshi, përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e aktorit Rikard Ljarja, shkruan KultPlus.
Dumoshi vlerëson se Rikardi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare si dhe puna e tij e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Dumoshit:
E nderuara familja Ljarja,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare.
Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.
Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër.
Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë.
Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.
Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas.
E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta.
I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu. / KultPlus.com