21 Gusht, 2021 - 2:58 pm
Pothuajse dy dekada pasi bëri debutimin e tij në “8 Mile”, ku fitoi Oscar për këngën më të mirë, Eminem po i rikthehet aktrimit.
Reperi i famshëm është bashkuar me mikun e tij 50 Cent për dramën e tij të fundit, Black Mafia Family (BMF). Eminem do të interpretojë White Boy Rick (djalin e bardhë Rick) në një nga episodet e “BMF”, të prodhuar dhe drejtuar nga 50 Cent.
“Unë jam i nderuar dhe mirënjohës që miku im i mirë Em po mbështet shfaqjen time të re BMF,” tha 50 Cent në një deklaratë. “Ne nuk mund të bënim një shfaqje të bazuar në Detroit pa përfshirë legjendën që është Eminem.”, transmeton KultPlus.
Richard Wershe Jr., i njohur si White Boy Rick, ishte një informator i FBI-së, i cili që kur ishte vetëm 14 vjeç, shiste drogë dhe armë si anëtar i një bande të Detroitit ku ai ishte infiltruar. Wershe, tani 52 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për drogë, para se të lirohej në qershor të vitit 2020 me kusht.
Një film për jetën e tij, White Boy Rick, u publikua në vitin 2018 me protagonist Matthew McConaughey.
BMF, i prodhuar nga 50 Cent, bazohet në dy vëllezër, Demetrius “Big Meech” Flenory dhe Terry “Southwest T” Flenory, të cilët u ngritën nga rrugët e Detroitit jugperëndimor në fund të viteve 1980 dhe krijuan një nga familjet kriminale më me ndikim në vend.
Kasti i BMF gjithashtu përfshin aktorë si Russell Hornsby, Michole Briana White, etj. Gjithashtu Snoop Dogg dhe La La Anthony do të shfaqen në serialin, premiera e së cilit pritet të shfaqet në shtator. / KultPlus.com