2 Dhjetor, 2017 - 2:52 pm
Në edicionin e 55-të të Golden Knight Malta International Film Festival, janë shfaqë dy filma të metrazhit të shkurtër e që vijnë me rrëfim, me ekip dhe sheshxhirime nga Kosova, shkruan KultPlus.
Në të dy këta filma, me rol kryesor paraqitet aktori i mirënjohur kosovar Xhevat Qorraj.
“Memory”, është filmi i metrazhit të shkurtër që për skenarist e regjisor ka Ilirjan Himaj ndërsa filmi tjetër është i regjisores së re në moshë Lorena Sopit, ku “Përjetësisht fëmijë” vjen po me skenar të Sopit.
Festivali ka nis më 28 nëntor ndërsa sonte ka natën e fundit të tij.
KultPlus, po sjellë rrëfimet e këtyre filmave bashkë me ekipin që i kanë jetësuar ata:
“Përjetësisht fëmijë” është film me skenar e regji të Lorena Sopit. Ky film trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi…
“Përjetësisht fëmijë”, ka korrë disa suksese nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtarë ndërsa për publikun shqipfolës ende nuk është shfaqur. Filmi është prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës
“Memory” me skenar e regji të Ilirjan Himajt, sjellë rrëfimin e plakut Sylë, i cili është i sëmurë me Alzaimer. Ai del nga shtëpia për të blerë një lodër për nipin e tij. Në përballje me sëmundjen, të ftohtit e dimrit dhe reshjet e borës, ai nuk arrin të kujtojë rrugën e kthimit për në shtëpi.
Ky film vjen nën lojën e aktorëve: Xhevat Qorraj, Igballe Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi, Agron Shala. Producent i filmit është Agron Shala kurse edhe “Memory” deri më tani është shpërblyer në disa festivale shumë prestigjioze ndërkombëtare.
Të dy filmat për drejtor fotografie kanë Latif Hasollin./ KultPlus.com