2 Mars, 2021 - 3:30 pm
Aktori 59-vjeçar, Eddie Murphy, e ka gëzuar një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme në Hollywood, dhe megjithëse ai e pranon që diversiteti mbetet një çështje e pazgjidhur në industrinë e filmit, ky fenomen asnjëherë nuk e ka ndaluar të luajë në ndonjë film.
“Sa i takon punës dhe karrierës sime, problemet racore nuk kanë luajtur ndonjë rol të madh. Unë kam 40 vjet që realizoj filma dhe asnjëherë nuk ka pasur rast që nuk kam arritur ta realizoj ndonjë projekt për shkak të faktit se jam afrikano-amerikan. Unë i kam tejkaluar këto probleme me racizmin. Por, kjo nuk do të thotë se e kam pasur të lehtë të arrij këtu ku jam sot në Hollywood. Unë jam një zezak i lindur në Amerikë. Pra jam afrikano-amerikan. Rritja në këtë shtet nuk është e lehtë për ne, dhe nuk ka mundësi të mos përballesh ndonjëherë me çështje që vijnë si rezultat i racizmit”.
Murphy e pranon që industria e filmit vazhdon të drejtohet nga burra të racës së bardhë, dhe se Hollywood duhet të bëhet më gjithëpërfshirës.
“Hollywoodi ka qenë kështu për vite të tëra, dhe jo vetëm për afrikano-amerikanët, por edhe për gratë dhe minoritetet tjera që janë pjesë e kësaj industrie. Burrat e bardhë e udhëheqin këtë industri. Gjithmonë ka qenë kështu”, ka deklaruar aktori në një intervistë të fundit.
Ndër të tjera, Murphy tha se skena e komedisë momentalisht është duke kaluar nëpër një periudhë korrektësie politike. Por, përfundimisht aktori e pranon se gjërat qesharake vazhdojnë të jenë të pandryshueshme.
Ylli i kinematografisë, Eddie Murphy, konsiderohet një prej komedianëve më të mirë të të gjitha kohërave.
Disa prej projekteve të tija të fundit filmike janë, “Dolemite” dhe “Coming 2 America”. / KultPlus.com