12 Janar, 2022 - 2:30 pm
Edicioni i 72-të i ceremonisë së sivjetme të ndarjes së çmimeve për film “Berlin Film Festival” do të mbahet me pjesëmarrje fizike të të ftuarve, konfirmon revista Variety. Por, Tregu Evropian dedikuar Filmit, që normalisht organizohet në Berlinale, do të jetë virtual. Kjo do të ndodh për shkak të shtimit të rasteve me variantin e ri të COVID-19 në Gjermani, Omicron.
Ndryshe, organizatorët e festivalit kanë thënë se kjo ngjarje do të vazhdojë siç është planifikuar, kuptohet duke iu përmbajtur rregullave për mbrojtje nga COVID-19.
Një zëdhënës i festivalit për Variety ka thënë se janë shumë të lumtur që kanë marrë sinjal pozitiv nga autoritetet për mbajtje të tij, dhe janë të inkurajuar që të vazhdojnë me planin. Ai ka thënë se shpresojnë se së shpejti do të njoftojnë edhe për konceptin final të ngjarjes.
Ky vendim u mor pas diskutimeve në mes organizatorëve të Berlinales dhe niveleve të ndryshme qeveritare.
Lajmi për lejim të Berlinales me pjesëmarrje fizike të të ftuarve pa dyshim se ka lehtësuar organizatorët e tij, të cilët ka kohë që shqyrtojnë se çfarë mund të ndodh në festivalin e sivjetmë, pasi që vitin e kaluar u organizua në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.
Berlinale ka tregun më të madh dedikuar filmit pas festivalit të Kanës.
Tani vjen pyetja se në çfarë niveli do të organiziohet Berlinale, pasi që disa ngjarje në botë tashmë janë anuluar për shkak të COVID-19. A thua si do të organizohen udhëtimet në këtë kohë kur Omicroni vazhdon të përhapet me të shpejtë.
Lidhur me këtë, Variety ka mësuar se Berlini dhe qeveria e vendit përkrahin plotësisht këtë ngjarje, por në të do të jenë të pranishëm vetëm ata që janë vaksinuar kundër COVID-19, apo edhe ata që kanë pak kohë që kanë marrë vetën nga sëmundja./ KultPlus.com