5 Qershor, 2019 - 1:00 pm
Regjisori Edmond Budina është vlerësuar me filmin e tij “Broken” me dy çmime në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali.
Në këtë konkurrim filmi “Broken” (Të thyer) u shpall më i miri, por mori dhe vlerësimin e jurisë së kritikëve. Producentja Adele Budina shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim të filmit.
“Dy fitore të tjera për “Broken” filmi i fundit i Edmond Budinës, i prodhuar nga mua, i cili jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si film më i mirë, por gjithashtu fitoi edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, shprehet Adele Budina.
Në 2018 filmi “Broken” (Të thyer) me skenar dhe regji nga Edmond Budina u shpall fitues i festivalit të 72 të Salernos në Itali. Me skenar dhe regji nga Edmond Budina në role janë aktorët Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj.
Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka vjen i interpretuar nga aktori i njohur Laert Vasili.
Filmi u xhirua në 2015 dhe siç ka pohuar dhe më herët regjisori ka punuar disa vite për këtë projekt filmi. Skenarist, regjisor, por në filmin “Të thyer” Edmond Budina vjen dhe me një rol, ku interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij.
Më herët ai është shprehur se është një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë. /atsh / KultPlus.com