17 Prill, 2019 - 9:56 pm
Aktori dhe regjisori Eduart Makri tashmë do të marrë timonin e të parit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Këtë njoftim e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës në Shqipëri ndërsa i kanë uruar suksese Makrit.
Eduart Makri ka lindur në 5 qershor të vitit 1957 në qytetin e Gjirokastrës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si regjisor dhe skenarist. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në Akademinë e Arteve. Në vitin 1997 u zgjodh Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Kulturës dhe Arteve “Fan Noli”. Në vitin 1997 do të emërohet Drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit në Televizionin Publik Shqiptar. Në vitin 2000 largohet nga atdheu për në Kanada. Në teatër ai interpretoi disa role me trupën e Teatrit Të Instituti të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) si psh rolin e Kronshtadit në dramën “Shtëpia e kukullës” apo rolin e Hetuesit në dramën “Vdekja e një vajze”. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” në vitin 1980. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa”etj. Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as/regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj. Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991. Me vendosjen e tij në qytetin e Torontos (Kanada) ai do të vazhdojë profesionin e tij. Roli i tij i parë do të jetë ai i Andre Tristan, piktorit në filmin “This is Ëonderland” në vitin 2004. Interpretimin e tij më të fundit do të jetë në rolin kryesor në filmin “Missing” Season 3, Episode “Cut ” në rolin e Viktor Brosky-t në vitin 2006. Eduart Makri është anëtar me të drejta të plota i ACTRA-s (Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists)./ KultPlus.com