20 Prill, 2023 - 6:30 pm
Një serial dokumentarësh i Netflix që përshkruan mbretëreshën Kleopatra VII si një afrikane me ngjyrë, ka ndezur polemika në Egjipt.
Një avokat ka paraqitur një ankesë që akuzon “Mbretëreshën Kleopatra të Netflix” për shkeljen e ligjeve të medias dhe synimin për të “fshirë identitetin egjiptian”.
Një arkeolog këmbënguli se Kleopatra ishte “me lëkurë të çelët, jo të zezë”.
Por producentja tha se “trashëgimia e saj është shumë e debatuar” dhe aktorja që e luante u tha kritikëve “nëse nuk ju pëlqejnë aktorët, mos e shikoni shfaqjen”.
Adele James komentoi në një postim në Twitter, ku shfaqeshin përmbledhje të komenteve abuzive që përfshinin sharje raciste.
Kleopatra lindi në qytetin egjiptian të Aleksandrisë në vitin 69 para Krishtit dhe ishte mbretëresha e fundit e një dinastie greqishtfolëse të themeluar nga gjenerali maqedonas Ptolemeu i Aleksandrit të Madh.
Ajo pasoi të atin Ptolemeun XII në vitin 51 para Krishtit dhe sundoi deri në vdekjen e saj në vitin 30 para Krishtit. Më pas, Egjipti ra nën dominimin romak.
Identiteti i nënës së Kleopatrës nuk dihet dhe historianët thonë se është e mundur që ajo, ose ndonjë paraardhës tjetër femër, të ketë qenë një egjiptian indigjene ose nga ndonjë vend tjetër në Afrikë.
Uebsajti shoqërues i Netflix, Tudum, raportoi në shkurt se zgjedhja për të luajtur Adele James, një aktore britanike me racë të përzier, si Kleopatra në serinë e saj të re dokumentare ishte si shenjë e dilemave shekullore rreth racës së sundimtarit.
Jada Pinkett Smith, aktorja amerikane e cila ishte producente ekzekutive dhe transmetuese, ndërkohë u citua të thoshte “ne nuk mund të shohim ose dëgjojmë shpesh histori për mbretëreshat e zeza, dhe kjo ishte vërtet e rëndësishme për mua, si dhe për vajzën time, dhe që komuniteti im të jetë në gjendje t’i dijë ato histori sepse ka shumë prej tyre!”
Por kur traileri u publikua javën e kaluar, shumë egjiptianë e dënuan përshkrimin e Kleopatrës.
Zahi Hawass, një egjiptolog i shquar dhe ish-ministre e antikiteteve, i tha gazetës al-Masry al-Youm “kjo është krejtësisht e rreme. Kleopatra ishte greke, që do të thotë se ajo ishte lëkurë e çelët, jo e zezë.”
Hawass tha se sundimtarët e vetëm të Egjiptit që dihet se kanë qenë me ngjyrë ishin mbretërit Kushite të Dinastisë së 25-të (747-656 pes).
“Netflix po përpiqet të provokojë konfuzion duke përhapur fakte të rreme dhe mashtruese se origjina e qytetërimit egjiptian është e zezë”, shtoi ai dhe u bëri thirrje egjiptianëve të mbajnë qëndrim kundër gjigantit të transmetimit.
Të dielën, avokati Mahmoud al-Semary paraqiti një ankesë pranë prokurorit publik duke kërkuar që ai të marrë “masat e nevojshme ligjore” dhe të bllokojë aksesin në shërbimet e Netflix në Egjipt.
Ai pretendoi se seriali përfshinte materiale dhe përmbajtje vizuale që shkelnin ligjet e mediave të Egjiptit dhe akuzoi Netflix-in se po përpiqej të “promovonte mendimin afrocentrik i cili përfshin slogane dhe shkrime që synojnë shtrembërimin dhe fshirjen e identitetit egjiptian”.
Tre vjet më parë, planet për një film për Kleopatrën me aktoren izraelite Gal Gadot shkaktuan një debat të nxehtë në mediat sociale, me disa njerëz që këmbëngulnin që roli t’i shkonte një aktoreje arabe ose afrikane. /abcnews.al/ KultPlus.com