17 Korrik, 2017 - 1:39 pm
Ai është pjesë e dokumentarëve “People and Power” (Njerëz dhe Fuqi), gjegjësisht pjesë e regjisorëve që e realizojnë këtë emision.
Arbër Selmani
Ai jeton tash e dy dekada jashtë Kosovës, ndërsa së fundmi jeta e ka dërguar në Katar, në Lindjen e Mesme.
Regjisori kosovar Eki Rrahmani po udhëton nëpër këtë pjesë të botës për shkak të disa dokumentarëve të cilët ai i realizon në bashkëpunim me rrjetin e madh televiziv Al Jazeera.
Ai është pjesë e dokumentarëve “People and Power” (Njerëz dhe Fuqi), gjegjësisht pjesë e regjisorëve që e realizojnë dhe ideojnë këtë emision.
Temat të cilat i trajton ky emision hulumtues kanë të bëjnë me parregullsitë politike, shoqërore dhe ekonomike. Dy episodet e fundit janë përqëndruar në Jobar, qytetin në Siri ku edhe regjisori nga Prishtina ka qenë i pranishëm për të nxjerrë më të mirën.
Pamjet e dokumentarit janë të rënda për faktin se ka njerëz të vdekur, shkatërrim dhe intervista që shpërfaqin dhimbjen e banorëve, krahas bombave e gazrave kemikale të cilat po marrin jetën e njerëzve të pafajshëm.
Emisioni në fjalë realizon dokumentarë që investigojnë mbi tema të ndryshme dhe vende të ndryshme nëpër botë, së fundmi edhe në Bellorusi, Afganistan, Kinë e Uganda. Emisionet e tilla transmetohen çdo të mërkurë në ora 22:30 GTM në Al Jazeera.
Eki është regjisor i njohur ndërsa këtë vit është i pranishëm edhe në festivalin PriFilmFest me një projekt filmik për të cilin do të lexoni ditëve në vazhdim në portalin KultPlus. / KultPlus.com