3 Maj, 2019 - 3:07 pm
“Portrait of a Lady on Fire” është filmi i metrazhit të gjatë me regji të Céline Sciamma e që është në konkurrencë zyrtare për Palmën e Artë në Festivalin prestigjioz Cannes, por veçantia tjetër e këtij filmi është se në një ndër rolet kryesore luan aktorja shqiptare Luana Bajrami, shkruan KultPlus.
Luana Bajrami pritet të parakalojë në tapetin e kuq të këtij festivali, ku parakalojnë edhe shumë yje të botës së kinematografisë, dhe për këtë ndjesi, vetë Bajrami ekskluzivisht për KultPlus ka ndarë emocionet mbi këtë projekt filmik.
Vetë
selektimi zyrtar në një festival kaq prestigjioz, sipas Luana Bajramit është një
sukses i madh, ku sipas saj, është duke i sjellë një ndjenjë të mirë.
“Ndihem e gëzuar dhe krenare që filmi “Portrait of a Lady on Fire” do të
paraqitet në një festival kaq prestigjioz”, ka thënë Luana Bajrami për
KultPlus, e cila ka shpjeguar edhe për boshtin e këtij filmi, ku sipas
saj, filmi është i vendosur në shekullin
e 18-të.
“Roli im është i një vajzë të re që është e punësuar si shtëpiake në një familje aristokrate”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka potencuar se me regjisoren Céline Sciamma ka punuar për herë të parë në këtë projekt filmik, duke e vlerësuar si një përvojë shumë të mirë, pasi që regjisorja ka punuar shumë me kastën e aktorëve.
Duke kujtuar fillimin e këtij filmi dhe shpresën se po ky film do të depërtoje në festivale të mëdha, Bajrami për KultPlus ka treguar edhe për përvojën e saj në rrugëtimin e saj artistik.
“Kam luajtur role të ndryshme këtu në Francë, duke përfshirë rolin e Apollinës, nxënëse shumë e zgjuar në filmin “School’s Out” me regji të Sébastien Marnier, pastaj rolin “Emma”, vajze rebele e braktisur prej nënës saj, në filmin “Fête de famille” prej Cédric Kahn, rolin e vajzës Mario, në filmin “Marion, 13 vjeçare përgjithmonë”, që është histori e vërtet”, ka thënë Bajrami e cila është nga Kosova por që është lindur dhe rritur në Francë.
Ajo ka kujtuar edhe angazhimin e saj me aktorë shqiptarë, duke përmendur përvojën e saj me Imer Kutllovcin e Ridvan Mjaku, por që të njëjtit jetojnë në Francë.
Kurse për një angazhim të saj të mundshëm me ndonjë projekt filmik me regjisor shqiptar, Luana Bajrami është shprehur të jetë e hapur për propozime. /KultPlus.com