23 Mars, 2023 - 11:20 pm
Legjendat e ekranit Elizabeth Taylor dhe Montgomery Clift kanë pasur një lidhje të veçantë, kur ishin pjesë e elitës së Hollywoodit.
Taylor që është martuar tetë herë kishte pasur mundësi që ta kishte cilindo burrë që donte në kulmin e karrierës së saj, por sikur shumica, “të gjithë duam atë që s’mund ta kemi”.
Shkrimtari Charles Casillo është zhytur thellë në lidhjen e veçantë mes dy yjeve në librin e tij të ri “Elizabeth and Monty: The Untold Story of Their Intimate Friendship”.
“Deri në atë kohë, kujtdo që ia ka vërë syrin, e ka marrë”, ka thënë ai për revistën “People”, kur ka folur për adoleshenten Taylor që po thyente zemra në industrinë e filmit. Por një person që nuk ka mundur ta bëjë për vete ka qenë Clift, kolegu i saj i pashëm nga filmi “A Place in the Sun”.
“Ata ishin shpirtra binjakë”, shkruan Casillo në libër, ku paraqiten hollësi të hulumtuara mirë dhe intervista me yjet që i kanë njohur legjendat e filmit.
“Monty u ndie rehat për t’i treguar se ishte homoseksual”, ka thënë Casillo.
Sidoqoftë, sipas Casillos, Taylor nuk e ka dashur asnjë burrë me të cilin ka pasur intimitet apo është martuar – përfshirë madje edhe Richard Burtonin – aq sa e ka dashur Cliftin.
Ajo u dashurua në aktorin kur u takuan më 1949 para se të nisnin xhirimet e filmit, që ka fituar “Oscar”, dhe autori e pranon se Clift ka pasur të njëjtat ndjenja për të.
Aktorët madje afroheshin e putheshin në veturë, por Casillo ka theksuar se “Monty nuk mund t’i tregonte se ishte homoseksual”, derisa e arriti besimin tek ajo, kur edhe ia hapi zemrën.
Ata patën lidhje platonike, gjë që e tërhiqte Taylorin edhe më shumë. Ajo madje ia kishte shpëtuar edhe jetën në aksidentin e vitit 1956, ku Clift ishte gati për t’u ngulfatur me dhëmbët që i ishin thyer, që Taylor ia kishte nxjerrë nga goja.
Dyshja u paraqit në shumë filma, madje Taylor i kishte anuluar filmat ku producentët nuk donin ta angazhonin aktorin e mrekullueshëm, mirëpo që ishte i varur nga droga dhe alkooli.
Clift vdiq më 1966 nga sulmi në zemër, me gjasë shkaktuar nga varësia. Pasi mori lajmin, Taylor u mbyll në dhomë. “Pas pak çastesh Richard dhe stafi e dëgjuan duke rënkuar”, shkruan Casillo.
Ajo kishte dërguar dy kurora të mëdha me lule në funeralin e tij, ku në njërën letër shkruhej: “Pusho, shpirt i trazuar”. /KultPlus.com