17 Shtator, 2023 - 5:46 pm
Flonja Haxhaj
Në natën e katërt të festivait ndërkombëtar të filmit ‘PriFest’ u prezantua filmi ‘Escort’, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili pati premierën edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filmi me regji dhe skenar nga regjisori i njohur kroat, Lucas Nova, i zhanrit, dramë, thriller e krim, paraqet fatin e Miros, një producenti, jeta e të cilit ndryshon komplet pas një feste me miqtë e tij dhe një nate në hotel me një punëtore seksi, të cilën pas mesnate ai e gjen të vdekur në banjo.
Drama që e përshkon atë në ditët në vijim, ku punëtorët e hotelit, të cilët fillimisht e ndihmojnë në fshehjen e trupit, e më pas fillojnë të kërkojnë favore nga ai fillimisht më të vogla e pastaj më të mëdha, e bëjnë akoma me të vështirë jetën e tij, e cila deri në atë moment ishte e lumtur dhe pa telashe.
E i gjithë ky zhvillim që shpeshherë dukej surreal, përcjellej shpesh me imazhe të kafshëve e shpendëve duke e paraqitur në njëfarë mënyre edhe vetë jetën e njeriut.
Filmi ‘Escort’ i cili premierën e parë e pati në Festivalin e Filmit në Pula, dukej se u paraqit suksesshëm edhe në Kosovë e kjo u vërejt nga numri i pjesëmarrësve dhe duartrokitjet e publikut pas përfundimit të filmit.
Drejtori i ‘Buka Production’, produksionit kosovar të filmit ‘Escort’, Fatmir Spahiu, u shpreh se kjo premierë mbi të gjitha i dedikohet regjisorit të filmit, Lukas Nova, i cili vdiq pak javë pasi përfunduan xhirimet e filmit.
“Ky është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. E veçanta e këtij projekti është fakti që do të nderohet regjisori i madh Lukas Nova i cili ka ndërruar jetë vetëm disa javë pasi ka përfunduar xhirimin e filmit dhe kjo premierë në Kosovë nuk do të jetë vetëm një premierë e thjeshtë por me të do ta nderojmë edhe punën dhe veprën e regjisorit të madh kroat Lucas Nova. Besoj që filmi që ka lënë dhe puna të cilën do ta shihni sonte është një testament i jashtëzakonshëm i tij”, tha Spahiu para shfaqjes së premierës.
E pranishme në këtë premierë, aktorja kroate, Hrvojka Begovic, e cila është edhe një prej aktoreve kryesore në këtë film, me pak fjalë u shpreh e lumtur për prezencën e saj në premierën kosovare të filmit ‘Escort’
“Faleminderit shumë që më keni ftuar në këtë premierë, shpresoj që ju do ta shijoni këtë premierë sonte, ashtu siç edhe ne i kemi shijuar xhirimet”, tha Begovic
Ndërkaq, pjesë e kastit të filmit ishte edhe aktori i njohur kosovar, Dukagjin Podrimaj, i cili edhe ishte i pranishëm në premierën në Kosovë. Ai shprehet i kënaqur me realizimin e këtij filmi, duke qenë se ishte hera e parë që po e shihte, në pamundësi për të qenë prezentë në premierën e ‘Escortës’ në Pula.
“Definitivisht është një projekt në të cilin unë kam marrë pjesë dhe kam qenë shumë i kënaqur me gjithë ekipin dhe gjithë mikpritjen që na e kanë bërë. Pavarësisht pse e kam lexuar skenarin, sonte kur e pashë filmin vëreja në disa pjesë një paritet mes njerëze dhe kafshëve dhe një ëndërre surreale që praktikisht mund të jetë edhe jeta e njeriut e tillë”, u shpreh Podrimaj për KultPlus.
Përveç Fatmir Spahiut dhe Dukagjin Podrimajt, pjesë e kasit të filmit ‘Escort’ kanë qenë edhe dy aktorë të tjerë kosovarë: Ilir Prapashtica dhe Fiona Gllavica.
Ndërkaq, pas një edicioni ku u shfaqën shumë filma të njohur shqiptarë e të huaj, sonte përmbyllet edicioni i 18-të i PriFest./KultPlus.com