22 Qershor, 2020 - 5:09 pm
Nga: Lum Radoniqi
Ekzistonte një kohë kur ato që ne sot i quajmë filma “kult” kanë qenë edhe filma nga më të shikuarit në vitin kur publikoheshin. Pra, kanë qenë filma që gjenin audiencë bukur të madhe në kinema. Ky trend vazhdoi deri në vitet e 90-ta, ku “Forrest Gump” theu rekordet në Box Office për fitimet më të mëdha.
Poashtu në të njëjtin vit dolën edhe ”Pulp Fiction” dhe “Shawshank Redemption” të cilat patën sukses të jashtëzakonshëm në kinematë anembanë botës. Pra, edhe pse kishin sukses me kritikët, qëndronin shumë lart në listën e filmave më të shikuar, bëheshin mainstream. Kur këto filma iu prezantohen audiencave mainstream sot, ato refuzohen! Është e kuptueshme që këto filma ka një kohë që kanë dalë, por ajo çka vërtetë ka ndryshuar është audienca. Një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për filmat që prodhohen sot. Ndikimi që kanë filmat “blockbusters” dhe ata “arthouse” është krejt i ndryshëm, aq sa të duket sikur i përkasin dy arteve të ndryshme. Ky është një fenomen i cili më ngjall kureshtjen. E vërteta është se filmat mainstream këto 25 vitet e fundit janë bërë më të shpejtë, më plastik në përmbajtje. Kjo i ngjan një makine e cila duket e bukur nga jashtë por që nuk funksion nga brenda, sepse vetëm ashtu shitet. Ajo çfarë ka ndodhur, në fakt, është se edhe zhanret më argëtuese si aksioni e trilleri, nuk janë më përmbajtësore. Për çdo vit audienca e filmit shtohet me gjenerata të reja të cilat kanë shije dhe nevoja tjera, janë të programuar me një shpejtësi të caktuar. Ajo që në fakt po ndodh është se audiencat po “trajnohen”, po “programohen” që ta pranojnë një shpejtësi të caktuar kur e shikojnë një film, dhe në momentin që del diçka që prezanton një sfidë, një film që zhvillohet ngadalë, atëherë ai refuzohet, nënçmohet. Jo rrallëherë më ndodh që një film që është i vlerësuar nga kritika dhe është në rrugë të vet për tu bërë film “kult” i ardhshëm të cilësohet si “i dobët” nga shoqëria ime. Pse ndodh kjo? Sepse, audienca është mësuar me një shpejtësi të caktuar dhe tematika të caktuara, dhe gjithçka që qëndron jashtë këtij rrethi cilësohet si “film i keq”.
Në këtë drejtim kanë kontribuar edhe studiot filmike. Në vitin 1972, filmi më i madh i “Paramount Pictures” ishte “The Godfather”. Sot, filmat e tyre më të mëdhenjë janë “Top Gun: Maverick” dhe “The Spongebob Movie”. Ky riorientim mund të themi me plot gojë që ka të bëjë me të ardhurat, me atë se çka shitet e çka jo. Përceptimi i gabuar është se audienca të tregon çfarë do të shoh. Kur në fakt është e kundërta. Ata shohin çka i’u servohet dhe në bazë të tyre e ndërtojnë shijen e vet. Pra, në këtë rast nuk vlen thënja që “klienti ka gjithmonë të drejtë”. Argument për këtë është numri tepër i madh i filmave blockbusters që dështojnë dhe humbin shumë para në Box Office. Në fakt, nëse e llogarisim, del që këtyre studiove nuk i’u konvenon aq shumë që të prodhojnë filma të tillë, sepse sa do argëtues që janë, ato nuk shiten siç paramendohet. Megjithatë, një film i suksesshëm blockbuster arrin të gjenerojë të ardhura aq të mëdha sa të mbulojë shpenzimet edhe për ata filma që kanë dështuar.
Roger Deakins, drejtori i famshëm i fotografisë, ka qenë tepër i përfshirë në filma të buxhetit të mesëm në vitet 90-ta, domethënë, filma që shkojnë nga 5 milionë deri në 50 milionë dollarë buxhet. Ai në një intervistë së fundmi pati thënë se këta filma po zhduken dhe se shumica e filmave që po prodhohen janë të buxhetit të vogël (filma të pavarur) deri në 5 milionë, ose filma me buxhet përmbi 100 milionë dollarë. Kjo bënë që këta filma me buxhet të vogël të anashkalohen nga audienca, sepse nuk arrijnë asnjëherë te ta për shkak të forcës jo të madhe distributive, rrjedhimisht nuk e kanë ndikimin e vet. Ky hendek në mes të filmave me buxhet skajshmërish të ndryshëm e ka ndikimin e vet.
Audiencat ecin me ritëm të ri, sepse filmat mainstream po krijojnë ritëm të ri. Kjo është normalja e re. Në filmin komedi “Idiocracy” parodizohet një gjë e tillë. Në film një personazh, Joe, udhëton në të ardhmen, ku sheh se si bota është katandisur në injorancë, një distopi e llojit të vet. Njëra nga gjërat e para që Joe bënë është të vizitoj një kinema, ku e shikon një film komedi, në të cilin shihet vetëm një prapanicë, por e gjithë audienca qeshin me të madhe, përveç Joe, që nuk qesh sepse nuk e kupton. Kjo është në fakt një parodi për evoluimin e audiencave, se si shija e njerëzve ka ndryshuar me kohë, dhe se ajo çka ata e konsiderojnë komedi në këtë rast ka ndryshuar. Por për ta vërejtur një gjë të tillë, një ndryshim kaq të madh, duhet të jesh një Joe, pra, të udhëtosh në kohë, e pastaj ti krahasosh kohërat të cilat ke parë. Në shumë mënyra audienca është adoptuar ndaj këtyre ndryshimeve, dhe trajektorja që ata ndjekin, në fakt, është e dirigjuar nga vet filmat që prodhohen. /KultPlus.com