Fahri Musliu i propozon RTK-së ta transmetojë serinë me Bekim Fehmiun

26 Prill, 2018 - 9:48 pm

Gazetari Fahri Musliu i ka propozuar Bordit të RTK-së ta transmetojë serinë ‘Odisea’ ku luan edhe aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Me anë të rrjetit social Facebook ai ka shprehur dëshirën që seria e njohur e viteve 70-të e cila u transmetua në RAI-n italian të fillojë së transmetuari edhe në Kosovë.

Kjo është kërkesa e tij ndaj Bordit të Televizionit Publik të Kosovës:

PROPOZIM BORDIT TË RTK, QË TA SHFAQ SERINË TV “ODISEA”, ME AKTOR BEKIM FEHMIUN

Me qenë se këto ditë, Stafi drejtues i RTK, në praninë e anëtarëve të Komisionit për Mediat të Kuvendit të Kosovës, ka nënshkruar një Marrëveshje bashkëpunimi me Radio-Televizionin Italian RAI, propozoj që mediumi publik i Kosovës ta shfrytëzojë këtë bashkëpunim dhe të kërkoj nga RAI, që t’ia jap në shfrytëzim serinë më të mirë televizive të të gjitha kohëve ODISEA, ku rolin kryesor e luan aktori i mirënjohur shqiptar nga Kosova, BEKIM FEHMIU.

Seria është produksion i RAI UNO i xhiruar në vitin e largët 1968, kurse në fillim të vitit 1970, Televizioni i Beogradit i ka shfaqur të tetë epizodat për publikun jugosllav.
Gjeneratat e reja shqiptare nuk janë të njohura me këtë realizim të shkëlqyer artistik të aktorit Fehmiu, me të cilin rol edhe i hapën dyert e kinematografisë botërore, deri në Holivud, ku luajti me shumë aktor, regjisor e producent të njohur botëror të asaj kohe. Me rezultatet e shënuara Bekimi u bë aktori i pare dhe famshëm shqiptar i filmit bitëror, në shkullin e XX.

RTK nëse e merr të drejtën për shfaqjen e këtij seriali, do të ishte mirë që kjo të ndodh nga 1 Qershori, ditëlindja ose 15 Qershori dita e shuarjes së jetës së tij.

Do të ishte hera e parë që një televizion shqiptar ta shfaq këtë serial kult, dhe me këtë RTK do ta përmbushtje edhe një obligim të vetin profesional për kujtimin dhe afirmimin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyer në fushën e kulturës kombëtare apo ndërkombëtare.

Jam i bindur që qytetarët e Kosovës, dhe të hapësirave tjera ballanike,por edhe shqiptarët në mbarë botën, do ta mirëpresnin realizimin e këtij propozimi.

Të ngjajshme