Fama që mori Dubrovniku nga seriali “Game of Thrones”

2 Qershor, 2019 - 2:30 pm



Ivan Vukoviç është një prej ciceronëve më të njohur në Kroaci, i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës si guida e turistëve në një kryeqytet që nuk ekziston në të vërtetë, por në serialin e famshëm GOT dhe ai është “King Landing”, Kryeqyteti i Westeros, të Shtatë Mbretërive.

Sipas 38-vjeçarit Vukoviç, fama që mori Dubrovniku nga ky serial, regjistrimet e të cilit filluan në vitin 2011, ka pasur avantazhe dhe disavantazhe.

Seriali “Games of Thrones” ka qenë një ndihmë e madhe për biznesin e tij dhe ka sjellë një numër të madh turistësh në qytet.

“Seriali ka qenë befasues. Numri i turistëve është rritur aq shumë saqë ne nuk dimë si t’i menaxhojmë turmat e turistëve, të cilat gjatë sezonit turistik arrijnë dhe e tejkalojnë pikun”, thotë z. Vukoviç. Më shumë se gjysma e tureve turistike kanë të përfshirë vizitën në “King’s Landing”. Pjesa tjetër e tyre janë përqendruar në historinë e vërtetë të Dubrovnikut, një trashëgimi kulturore në mbrojtje të UNESCO-s, që daton prej shekullit VII, me shumë kisha, muze dhe kështjella të ndërtuara buzë Adriatikut.

Për vendasit nuk përbën çudi kur turma të mëdha turistësh mblidhen në shkallët e stilit barok të jezuitëve dhe bërtasin “Turp, Turp, Turp”, duke përsëritur një prej skenave më të famshme të serialit, ku një prej protagonisteve kryesore Cersei Lannister, detyrohet të shëtisë e zhveshur nga këtu deri në Red Cape, pas rrëfimit të tradhtisë bashkëshortore.

Mbipopullimi nga turistët

Edhe Niko Grljevic, i cili ka një piceri pranë shkallëve të famshme të jezuitëve, shprehet se shitjet në biznesin e tij janë shtuar nga rritja e numrit të turistëve. Një lokal pranë picerisë së tij ofron për të gjithë turistët e fiksuar pas serialit GoT, një koktej që e ka quajtur “Mojito of Shame”. Në rrugën kryesore shiten hapëse shishesh me elemente të serialit, për vetëm 40 euro, bluza me personazhe të tij për 34 euro dhe gota birre për 20 euro.

Z. Grljeviç është një prej kroatëve autoktonë i cili ndryshe nga shumica e kroatëve të tjerë, ka vendosur të qëndrojë në vendin dhe në shtëpinë e tij, duke mos e dhënë atë me qira apo duke mos e shitur, siç kanë bërë shumë prej bashkëkombësve, gjë që ka ulur në mënyrë drastike numrin e banorëve vendas.

Sipas të dhënave të Institutit të Ekonomisë në Zagreb, pas transmetimit në televizionin HBO të sezonit të dytë të serialit “Games of Thrones”, Dubrovniku tërhoqi më shumë se 244,000 turistë, të cilët shpenzuan rreth 126 milionë euro në këtë qytet midis viteve 2012 dhe 2015. Shtimi i numrit të turistëve plus fluksi normal i tyre, ngriti vitin e kaluar shqetësimet e një krize të “mbipopullimit nga turistët”, kur më shumë se 1.2 milionë turistë zbarkuan në një qytet ku banojnë vetëm 42,000 vendas.

Autoritetet janë shprehur se po mundohen të menaxhojnë kohën e zbarkimit të turistëve, të cilët vijnë me anije nga vende të ndryshme, si dhe kanë vendosur kamera në qytet për të kuptuar orët kur fluksi i turistëve arrin pikun. Por vendasit janë të shqetësuar dhe skeptikë nëse do të arrihet ekuilibri i duhur. Gordan Prisliç, një pensionist 70-vjeçar, pranon se seriali GoT ka pasur disa efekte pozitive në rritjen e numrit të turistëve në këtë qytet, por thekson se mbipopullimi është një shqetësim më i madh se rritja e numrit të turistëve.

“Në verë, as pëllumbat nuk kanë më vend se ku të qëndrojnë”, shprehet z. Prisliç, duke shprehur shqetësimin dhe frikën për këtë rritje të vrullshme në numrin e turistëve, si një prej shkatërrimtarëve të mundshëm në të ardhmen të këtij qyteti antik. Ciceroni Vukoviç vë në dukje se si qyteti i vjetër është shndërruar në një qendër tregtare për turistët ku shiten produkte të ndryshme artizanale, në të cilat padyshim që nuk mungojë elementët e serialit GoT. Ai shprehet se edhe në postimet e ndryshme në Instagram, hashtagu i dytë pas Dubrovnikut është Game of Thrones (Dubrovnik#Game of Thrones#).

Gjatë tureve në këtë qytet, ai i dërgon turistët edhe në një vend ku uji del nga një shatërvan mesjetar, duke i nxitur turistët që të pinë ujë këtu, duke qenë se kjo mund të jetë e vetmja gjë për të cilën ata nuk duhet të paguajnë.
Duke dashur të promovonte më shumë vlerat e qytetit të Dubrovnikut, z. Vukoviç dikur mbante të veshur një bluzë me mbishkrimin “Dubrovniku është shumë më tepër nga King’s Landing”. Por tani nuk e vesh më pasi ka frikë se do të humbasë një numër të madh njerëzish që e mbështesin atë në rrjetet sociale. Për shumë të rinj të ditëve të sotme, filmat, serialet dhe rrjetet sociale online vlerësohen më shumë sesa historia e një vendi, tha në fund ai./ AFP Relaxnews / KultPlus.com

Të ngjajshme