30 Nëntor, 2021 - 12:41 pm
Pjesëtarët e mbetur nga dinastia Gucci nuk u përpoqën ta fshehnin aspak pakënaqësinë e shkaktuar nga filmi Gucci.
Duket se asnjë nga familja e famshme nuk është i lumtur me mënyrën sesi janë përfaqësuar nga filmi i shumëpërfolur që trajton historinë e Patrizia Reggiani, Aldo Gucci, Maurizio, etj.
Gjatë një deklarate të bërë të hënën, trashëgimtarët e Aldo Gucci-it- ai që drejtoi shtëpinë e modës për 33 vite- u shprehën se janë të nervozuar nga mungesa e konsultimit që krijuesit e filmit duhet të kishin bërë me ta dhe nga fakti se i kanë portretizuar si “banditë, injorantë dhe të pandjeshëm ndaj botës dhe gjërave përreth.”
House of Gucci, filmi i realizuar nga Ridley Scott, ka një kast të njohur aktorësh si Al Pacino, Jeremy Irons, Adam Driver dhe Lady Gaga.
“Eshtë shumë e dhimbshme nga ana njerëzore dhe ofenduese për trashëgiminë që ka ndërtuar brand-in që Gucci është sot.”- vijon deklarata.
Sipas tyre, i gjithë filmi është fyes për familjen, që meriton më shumë respekt dhe nderim për punën e bërë dekada me radhë.
“Gucci është një familje që jeton duke nderuar punën e të parëve, kujtimi i të cilëve nuk meriton të shqetësohet për të vënë në skenë një spektakël të pavërtetë, që në fund të ditës nuk bën drejtësi me protagonistët e saj.”
Ndonëse pjesëtarët e familjes së famshme kanë të drejtë të ndërmarrin veprime ligjore për të mbrojtur emrin, imazhin dhe dinjitetin e të dashurve të tyre, deri tani nuk është marrë asnjë masë.
Burimi: The Guardian/ KultPlus.com