23 Gusht, 2020 - 3:56 pm
Nga Jeton Neziraj
Në verën e vitit 2017, unë kisha nisur punën për librin monografik për aktorin e njohur Faruk Begolli. Me botuesin (Integra) kishim bërë plane, që do të udhëtoja edhe në Beograd, për të hulumtuar nëpër arkivat e teatrove dhe të shtëpive filmike, por edhe për të takuar miq, kolegë e bashkëpunëtorë të Begollit. Thjesht, sepse donim që biografia të përfshinte edhe atë pjesë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së Faruk Begollit. Megjithatë, shpejtë mbasi kisha nisur punën, Begolli u sëmur. Prognozat nga mjekët ishin të zeza. Nuk kishte më kohë për disa nga gjërat që i kishim planifikuar rreth librit. Duhej të punohej shpejtë dhe të shfrytëzohej forca e Begollit. Prandaj, më e rëndësishme për atë kohë ishte të rrija sa më shumë me të dhe të kuptoja nga ai, gjëra të cilat, në fund të fundit, nuk mund të gjendeshin në asnjë arkiv. Ai në të vërtetë, nuk kishte kurrfarë arkivi personal, pak foto, ndonjë shënim të vogël dhe kaq. Asgjë s’kishte ruajtur, nga karriera e tij kaq e bujshme si aktorë, as ndonjë copë gazete, ndonjë intervistë, ndonjë dokument a ngjashëm. Krejt çka kishte, ishte ai që ishte, memoria e tij e mprehtë dhe humori, të cilin, as në atë kohë të sëmurjes nuk e kishte humbur. Ai na inkurajon të vazhdojmë tutje me librin. Synojmë me çdo kusht ta botojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Në vitet 70-të dhe 80-të ai ishte një prej aktorëve më të kërkuar të filmit në gjithë ish-Jugosllavinë. Ishte ajo kohë kur në qytete të ndryshme krijoheshin klubet e adhuruesve të tij. Ka luajtur në rreth 70 filma artistik metrazhesh të ndryshme dhe në dhjetëra shfaqje teatri. Në moshën 33 vjeçare, Begolli kishte pas vetës 33 filma, shumica e të cilëve kishin për autorë regjisorët më në zë të asaj kohe në ish-Jugosllavi. Akoma takoj njerëz në Beograd që kur ua përmendi Faruk Begollin, u mbushen sytë me lot. Të mos flasim për Prishtinën, ai kujtohet me mallëngjim nga të gjithë, sidomos nga ish studentët e tij. Më kujtohet që, sa herë që kalonim kufirin Kosovë – Mali i Zi, policët malazez, sapo e shihnin Begollin në automobil, u ndërronte çehrja, ngazëlleheshin, bëheshin më dashamirës dhe ia kujtonin filmat ku kishte luajtur.
Zoja Begolli
Gjatë studimeve për aktor në Beograd, Begolli tregonte sesi qe njohur me dy shokë tjerë të rinj, të cilët do të mbesin miqtë dhe shokët e tij të përhershëm. Ishin ata, Josif Tatiq – Tale apo Jataganac, siç e quan ndryshe Begolli, dhe Laslo Shvirtlih – Laci, të dy këta aktorë nga klasa e Begollit.
„Ishim edhe ka 20 orë bashkë… Shpesh banonim bashkë. Krejt çka bënim e bënim bashkë. U bëmë të pandashëm… Kjo shoqni e jona asht qysh prej viteve t’60-ta, pra janë ma shumë se 45 vjet n’pyetje.“ (Faruk Begolli, 2017).
Derisa e intervistoja për monografinë, Begolli një ditë na tregoi se ish gruaja e tij, kishte ruajtur “një ditar” ku kishte gjithçka, shkrime nga gazetat e kohës, fotografi e shumëçka tjetër. Ditari pas disa ditësh arriti dhe aty gjetëm materiale të shkëlqyeshme, të periudhës së hershme nga karriera e Begollit, e veçanërisht intervista e shkrime që kishin të bënin me të dhe gruan e tij, Zojën.
Faruk Begolli ka qenë i martuar me Zoja Gjokoviq, një grua e shkëlqyer, për të cilën ai fliste me shumë respekt. Zoja, tashmë edhe ajo e ndjerë, që ishte balerinë profesioniste në Teatri Popullor të Beogradit, më vonë do ta marr mbiemrin e burrit – Begolli. Gjatë krejt atyre viteve martesë, ajo ishte, siç thoshte Begolli në një intervistë të hershme, “shtylla e shpisë”. Megjithatë, mbas 17 vjetësh martesë, Begolli ndahet nga ajo.
Begolli ka hezituar shumë të flas për ish gruan e tij, Zojën. Kur po e intervistoja për monografinë, ai insistonte me kokëfortësi që të fokusoheshim tek krijimtaria e tij, tek puna profesionale, e jo shumë tek jeta private. Ai fliste pa pritesë për fëmijërinë, por hezitonte të nisnim muhabet, saherë që binte fjala për martesën e tij me Zojën. Megjithatë, kur ishim krejt në finalizim të librit, u deshtë të flisja shtruar me të: si mund të bëhet një monografi për Faruk Begollin, e ndërkohë që unë s’duhet ta përmendi faktin që ke qenë i martuar me Zoja Begollin për 7 vite, i pata thënë një ditë? Ai në të vërtetë, kur e bezdisja me pyetje të shpeshta, fliste për Zojën, por thoshte se “këto nuk janë për libër”. Megjithatë, bisedat unë i ruaja dhe i shënoja, me shpresën se ai do të bindej që në libër të ishte edhe pjesa e jetës së tij me Zojën.
„N’këto vitet e fundit nuk flas ma për dashuninë, sepse ka ekzistue nji dashuni e vërtetë dhe, si rezultat i saj, edhe nji martesë. Jemi kanë 17 vjet bashkë. Ajo e ka mbajt mbiemnin tem. Por, kur mbaron, mbaron, fatkeqësisht. Kena mbetë shokë. Ndigjohemi n’telefon kohë mbas kohe. Ma së shpeshti jena ndigjue gjatë luftës. Por, mbasi kuptuem që të dy jena mirë, edhe unë e edhe ajo, filluem me u ndigjue rrallë e ma rrallë. Jam i lumtun me at’ dashuni, jam i lumtun që e kam pasë at’ grue. I jam falenderue që m’ka ofrue at’ dashuni t’mrekullueshme, at’ martesë, at’ shoqni dhe at’ copë jete t’mrekullueshme“ (Faruk Begolli, 2017).
Gjendja shëndetësore e Begollit ishte përkeqësuar dhe unë nuk mund ta vizitoja për ta intervistuar, se s’kishte më forcë të fliste gjatë. Më kishte thënë e treguar shumë gjëra. Materialet i kishte lexuar dhe i kishte aprovuar. Monografia po merrte formë. Megjithatë, akoma nuk ma kishte dhënë ‘lejen’ që në libër të flisja edhe për Zojën. Në njërën prej atyre ditëve, e thirra në telefon dhe i thash: si po ia bëjmë me Zojën? Ai u përgjigj shkurt: le të bëhet ashtu si thua ti, por ama, kujdesu që të jetë mirë. Ai donte që ish gruaja e tij, Zoja, të ishte “e prezantuar mirë”.
Shkëlzen Maliqi konsideron se për Begollin, vendimi për të lënë Beogradin ka qenë vendim shumë i vështirë. Ai beson se divorci i tij nga gruaja Zoja ka ndikuar në këtë vendim, por, siç thotë kjo gjë nuk mund të jetë argument i mjaftueshëm.
“Për arsyet e vërteta pse e ka lënë Beogradin dhe karrierën e yllit të filmit jugosllav, ai nuk ka folur asnjëherë publikisht. Me famën dhe lidhjet që ka pasur, Faruku gjithsesi që ka mundur ta vazhdojë karrierën e aktorit të suksesshëm. Por, ai kishte një dëshpërim personal me botën ku kishte qenë yll por që po shembej me të shpejt, duke i hapur rrugën primitivizmit dhe fashizmit politik dhe kulturor. Kjo ndjenje mendoj se ka qenë shtytësi kryesor pse Faruku me vetëdije filloi një jetë dhe karrierë të re, i përqendruar kryesish në “rolin” e profesorit të aktrimit në Prishtinë”.
Kam frikë se me ba me shkue n’Beograd do t’kaj
Mbas viteve të 90-ta, në kohën e turbulencave politike, kontakti i Begollit me shokët e shkollës ishte më i rrallë, por asnjëherë nuk u shkëput tërësisht. Njëherë, e tërë gjenerata e klasës së tij nga fakulteti qenë mbledhur në një kafe, për të kujtuar kohën e shkuar nga studimet. Nga atje ata e kishin pas marrë në telefon edhe Begollin, dhe të gjithë kishin pas folur radhazi me të:
“U smuva nga qefi. U ktheva shumë mbrapa n’kujtime… Fatmirësisht, nga ajo kohë kam kujtime t’mira. Shoku im, Josif Tatiç m’thirrë vazhdimisht. Kam frikë se me ba me shkue n’Beograd do t’kaj.” (Faruk Begolli, 2017).
Një histori mediale
Shumë njerëz, edhe sot e kujtojnë një histori mediale në lidhje me Faruk Begollin. Në vitin 1982, një deklaratë e tij do të shkaktonte zemërimin e shumë njerëzve në Kosovë. Në një emision televiziv, që i kushtohej demonstratave të studentëve shqiptarë të vitit 1981, Begolli, i intervistuar në një kontekst tjetër, deklaroi publikisht se i pëlqente Beogradi dhe se më mirë e ndjente veten në Beograd. Kjo deklaratë e tij, e perceptuar ndryshe nga ç‘ishte menduar, krijoi një zemërim të paparë tek njerëzit në Kosovë. Shumë nga ta filluan të shihnin tek ai „tradhtarin e atdheut“. Kjo deklaratë, me preferenca aq të zakonshme njerëzore, në rrethana të atëhershme politike, u keqkuptua dhe u keqinterpretua skajshmërisht. Në lidhje me këtë deklaratë të tijën, mbas disa vitesh, i pyetur nga një gazetë kosovare, Begolli shpjegon shumë qartë tërë atë histori dhe prapavijën e saj:
“Atë që e kam thënë me atë rast, nuk e mohoj. E kam thënë se në Beograd kam kaluar pjesën më të madhe të jetës. Kam kujtimet e mia, kujtimet e mira, pavarësisht qëndrimeve denigruese të politikanëve të atjeshëm ndaj shqiptarëve. Kur e kam pranuar ofertën e Televizionit të Beogradit, nuk më është thënë qëllimi i atij emisioni. Më është thënë të flisja për mënyrën se si jam afirmuar në Beograd dhe ç`ndjeja unë për Beogradin. Nuk kam pasur haber se me çfarë prapavije politike e kishin planifikuar ata emisionin. Ajo deklaratë imja mandej është montuar dhe është “sakatuar”. Sikur të ishte dhënë e plotë, do të duartrokitesha, por ndodhi ashtu siç ndodhi dhe…” (Faruk Begolli, 2007).
Ish-studenti dhe më vonë kolegu i Begollit, aktori Enver Petrovci, edhe sot thotë të mos e ketë kuptuar se pse njerëzit në Kosovë janë ndjerë të fyer nga ajo deklaratë e Begollit.
„Ishte ajo koha mbas vitit 1981, kur televizionet dhe gazetarët serbë na provokonin vazhdimisht. Faruku ka thënë që e ndjen veten mirë në Beograd, se ndjehet si fëmijë i Beogradit. Pse jo? Nuk e di pse njerëzit e kanë keqpërdorë këtë deklaratë të tijën. As Faruku, por as Bekim Fehmiu kurrë nuk e kanë mohuar se kanë qenë shqiptarë. Me Farukun, në kafe, në rrugë, teatër apo kudo që jemi takuar në Beograd, gjithmonë kemi folur shqip mes vete dhe kurrë serbisht. Më në fund, a ka shqiptar, i cili ka jetuar në Beograd, dhe për të cilin njerëzit këtu në Kosovë nuk kanë paragjykime? Njerëzit, të cilët dikur kanë qenë krenaria jonë, mu nga fakti që kanë bërë emër në Beograd, më vonë janë sharë” (Enver Petrovci, 2007).
Por, Begolli edhe shumë vite më vonë e thoshte të njëjtën gjë për Beogradin dhe dashurinë për të.
„Pavarësisht se dikush mundet me m’keqkuptue ose keqinterpretue, unë edhe ma tutje e due Beogradin” (Faruk Begolli, 2007).
Filozofi Shkëlzen Maliqi konsideron se nami si yje filmi i Bekim Fehmiut dhe Faruk Begollit në Beograd në atë kohë e ka ndryshuar atë perceptimin tradicional paragjykues për shqiptarin si qenie e huaj në hapësirat jugosllave, si i “pakulturuar”, i “prapambetur”, “sharrëxhinj”.
Operacioni Beograd
Në ditët e para të bombardimeve të NATO-s, në televizionin e Beogradit emitoheshin filmat e Luftës së Dytë Botërore, në shumicën e të cilëve luante edhe Faruk Begolli. Dhe, ndërkohë që në filma ai luante partizanin trim që lufton fashistët gjermanë dhe tradhtarët e vendit, në realitet ai po priste se kur do të vinin policët serbë që ta largonin dhunshëm nga shtëpia. Dhe, policët do ta largojnë dy herë nga shtëpia, por ai, përsëri, bashkë me motrën e vet, do të kthehet te vëllai, Adili dhe nuk do të pranojë të largohet.
„Një ditë, derisa në televizion jepej filmi „Operacioni Beograd” i regjisorit Zhika Mitroviq, ku unë luaj çlirimtarin e patrembur të qytetit të Beogradit, policët serbë erdhën dhe na larguan nga shtëpia” (Faruk Begolli, 2007).
Shokët e tij, nga Beogradi dhe qytetet tjera jashtë Kosovës do t`ia dalin ta gjejnë numrin e tij të telefonit. Josif Tadiq – Jataganac, njëri nga shokët më intim të Begollit, do ta mbajë vazhdimisht lidhjen me të. Ai do ta thërrasë në telefon Begollin çdo të dytën apo të tretën ditë. Jataganac dhe disa shokë të tjerë, duke e kuptuar atë që po ndodhte në Kosovë, do të bëjnë përpjekje të mëdha që Begollin ta “nxjerrin” nga Prishtina. Do t’i hulumtojnë të gjitha kanalet e mundshme dhe madje do të përpiqen të nisin edhe një autobus, i cili do të evakuonte jo vetëm Begollin por edhe familjen e tij. Përpjekjet e shokëve për ta shpëtuar nga ferri, do ta gëzojnë dhe trimërojnë Begollin, por ai megjithatë nuk do të bindet që të largohet nga Kosova.
Tregimi i luftës ka edhe një episod tjetër të frikshëm. Faruk Begolli, bashkë me të vëllain, Adilin, po kryenin ritualet e një dite të zakonshme lufte. Në banesën e tyre hyjnë dy policë serbë, të cilët po kryenin regjistrimin e popullatës së paktë që kishte mbetur në Prishtinë. Policët, natyrisht e njohin Begollin.
“ …Ishte e tmerrshme. ‘Hajde, e keni lypë Shqipninë…’, na thonin. Në fillim u dridhsha, normalisht. Ata mandej: ‘…ju të dy na keni sulmue neve dhe ne tash ju vrasim’. Nja dy orë ka vazhdue ky lloj maltretimi. Por, dikur po i vike njeriut një fuqi krejt tjetër, më kërciti filmi edhe i lutsha unë: hajde, çomni, ku po doni, çka po doni… Hajde, vramëni…” (Faruk Begolli, 2007)
Por fatmirësisht, e gjitha kishte përfunduar pa ndonjë epilog tragjik. Policët kishin kërkuar nga Begolli t`ua paguante një drekë. Kishin marrë 200 marka gjermane dhe mandej ishin larguar.
Mbas luftës Begolli rrallë do të dalë jashtë Kosovës. Nuk do të shkojë më në Beograd, por as në Zagreb apo Ljubjanë. Në Sarajevë do të shkojë shumë më vonë, me shfaqjen “Mbreti Lir”.
“Nuk guxoj të mendoj për Beogradin. Shokët më thërrasin. Madje ata mendojnë se unë kam frikë. Por unë e kam ndërprerë një jetë të mrekullueshme. Tash e kam ndërtuar një mur dhe nuk dua më të mendoj, ngaqë e kam dashur shumë Beogradin. Kam frikë. Dua të më mbeten kujtimet e mira që kam.”
Për vdekjen e Faruk Begollit në vitin 2007 patën raportuar pothuaj të gjitha mediat në hapësirën e ish Jugosllavisë por, gjithashtu, edhe disa media të rëndësishme ndërkombëtare. Rrallë mund të gjendet ndonjë personalitet tjetër si ai, për të cilin, pas luftërave të këtyre anëve, të gjitha mediat, serbe, kroate, sllovene, shqiptare, boshnjake, malaziase e maqedone, të kenë shkruar dhe konstatuar gati njëzëshëm: se është “një humbje e madhe”. Njerëzit dhe artistët si Begolli, me përmasat e tyre të jashtëzakonshme, kapërcejnë mbi urrejtjen e patologjinë nacional-shoviniste primitive. Ata, jo veç me jetën, por edhe me vdekjen e tyre, përçojnë midis njerëzve mesazhe paqeje, mirëkuptimi, dhembjeje të përbashkët, dashurie e miqësie. Duket se kur vdesin artistët e mëdhenjë, gjuha e urrejtjes dhe armët, të paktën për një çast, heshtin. Kështu ishte kur vdiq Faruk Begolli dhe kështu ishte kur vdiq Bekim Fehmiu.
Njëzet vitet e fundit të jetës së tij ai ka jetuar në Prishtinë, por poaq vite, ai ka jetuar edhe në Beograd. Edhe fizikisht por edhe shpirtërisht, jeta e tij ka qenë e ndarë mes Prishtinës dhe Beogradit. Edhe dashuria e respekti për të i njerëzve, është i ndarë njësoj, ai duhet e respektohet po aq në Prishtinë sa në Beograd. Në këto raportet tona të koklavitura shqiptaro-sërbe, të urrejtjeve e nënçmimeve, Begolli është ndoshta përjashtimi i rrallë i të kundërtës, ai është urë lidhëse, nga ato urat e pakta që dy popujt kanë krijuar e ruajtur mes vete. Ai ka jetuar dhe krijuar si një artist, përkundër shumë artistëve të tjerë të këtyre anëve, të cilët, përtej të qenurit artistë, kanë dashur të jenë edhe patriot.
Artistët e mëdhenjë janë fëmijë të botës. Atdheu i tyre është arti i tyre që ata lënë trashëgim për brezat. Begolli na ka lënë një trashëgimi të pasur, si artist e profesor. Dhe si njeri. Dhe kur të jemi shëruar nga ethet e nacionalizmit e primitivizmi, shqiptarë e serbë, për Begollin do të duhej të shkruhej: ishte një artist i madh që donte Prishtinën dhe Beogradin dhe mbi të gjitha donte njeriun! / KultPlus.com