11 Gusht, 2019 - 11:54 pm
Kemi hyrë zyrtarisht në një epokë të re të kinemasë. “Hobbs & Shaw” filmi i nëntë i franshizës “The Fast and the Furious” nuk lë hapësirë për dyshim, kur është në pyetje një konstatim i tillë.
Në një epokë të televizioneve 4K, në të cilën të përjetuarit e kinemasë përballen me zhdukje, “Hobbs & Shaw” është hakmarrë duke shpërfillur përvojën tradicionale narrative. Ky zor se mund të quhet film. Është më shumë njëfarë ndjekjeje hedoniste. Ju pëlqen ta shihni Dwayne Johnsonin duke e rrëzuar helikopterin me duar? Mund ta shihni në këtë film. Do të donit ta shihnit Idris Elban që nuk e shpon fisheku dhe që vazhdimisht e quan veten “Supermeni i zi? Edhe atë mund ta shihni. Ju pëlqen ta shihni Helen Mirrenin që e ka kombinuar në mënyrë të përkryer buzëkuqin me uniformën e burgut? Edhe ajo është. Të gjitha janë në këtë film. Filmi mund të jetë marrëzi e plotë, por ai aktivizon qendrat e trurit, kështu që ta jep një ndjenjë të mirë.
Natyrisht se “The Fast and the Furious” gjithnjë i ka kushtuar rëndësi spektaklit e jo logjikës dhe arsyes. Ai qe dy dekada më parë filloi si film mbi grupin e garuesve të automjeteve, që e siguronin jetesën duke vjedhur pajisje elektronike, tani trajton çështje të spiunazhit ndërkombëtar, ndjekjen me trena, tanke dhe nëndetëse bërthamore. “Hobbs & Shaw” bën bashkë dy armiq të dikurshëm dhe i përball me sfida të shumta, teksa agjenti i DSS-së, Luke Hobbs (Johnson) dhe mercenari Deckard Shaw (Jason Statham) detyrohen t’i lënë anash mospajtimet dhe të bashkëpunojnë për ta shpëtuar botën nga një virus vdekjeprurës. Fokus është motra e Desckardit, Hattie (Vanessa Kirby), agjente e MI6, e cila shkaku i veprimeve të saja shndërrohet në cak të superushtarit të modifikuar gjenetikisht, Brixton Lore (Idris Elba). Gjithçka që dëshiron nëna kriminele e Deckhardit dhe Hattiet (Mirren), ndërkohë, është një vizitë nga fëmijët e saj. /KultPlus.com