20 Shtator, 2022 - 2:11 pm
PriFest është gati për edicionin e sivjetmë, më të ndjeshmin në historinë e këtij festivali, pasi që për herë të parë po organizohet pa prezencën fizike të themelueses së këtij festivali, Vjosa Berishës, e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.
Por vetëm prania fizike e Vjosës do të mungojë në këtë edicion dhe edicionet që do të vijnë, pasi që emri i saj tashmë është pjesë e pandashme e këtij festivali, e prej këtij viti emri Vjosa Berisha do të rri edhe më fuqishëm në disa formate.
Fatos Berisha, drejtor i festivalit dhe njëherit bashkëshort i Vjosa Berisha ka thënë për KultPlus se ky edicion ka edhe dedikimin për Vjosa Berishën, dhe krejt ky edicion do të bëhet me moton “For Her”, sikurse që ky edicion ka pas për moto të përvitshëm “Miqësi përgjithmonë”, nga ky vit do të jetë “Vjosa përgjithmonë”.
“Por për të kujtuar dashninë, pasionin dhe vullnetin e Vjosa Berishës që e ka ndërtuar këtë festival prej edicionit të parë e deri tashti, ne nga ky vit do të ndajmë edhe çmimin kryesor të festivalit “Çmimi Vjosa Berisha”, çmim i cili do të jepet për producentë, pasi që edhe Vjosa ishte producente”, ka thënë Berisha.
Dhe për këtë edicion që do të sjell 45 filma premierë për Kosovë, konferenca të shumta shtypi, punëtori, prezantime dhe shumë takime mes kineastëve, Fatos Berishën e ka gjetë të dërrmuar edhe emocionalisht dhe fizikisht, pasi që, punët që Vjosa Berisha kishte mbi supe, sipas Fatosit po duhet ti kryejnë mbi 40 burra dhe mezi po ja dalin.
“Ka lënë shumë zbrastësi, s’po flas vetëm për anën emocionale, por edhe asaj profesionale. Vjosa Berisha ka qenë motor, lokomotivë e këtij festivali. Jemi mbledhë mbi 40-të burra për organizimin e këtij edicioni, dhe mezi po ja dalim”, ka thënë Berisha, i cili në të njëjtën kohë falënderon miqtë e shumtë, që janë edhe nga komuniteti artistik të cilët kanë shprehë gatishmërinë për të ndihmuar që të realizojnë këtë edicion, i cili ka lëvizë edhe datat, si pasojë e humbjes së Vjosa Berishës.
Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit artistik të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë “PriFest” fillon me filmin “Vera andrron detin” me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit, kurse do të përfundojë po me një film shqip “ “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit. Hapja e ceremonisë do të mbahet sonte, në Kino Armata./ KultPlus.com