31 Gusht, 2020 - 4:20 pm
Në vitin 2019 festivali i filmit në Venecie karakterizohej nga gjallëria, paparazit, zhurmat dhe turmat e mëdha të njerëzve.
Por, pandemia e koronavirusit ka bërë që sivjet kjo ngjarje e rëndësishme kinematografike, që njëherësh do të jetë festivali i parë që do të mbahet në formë fizike prej se ka filluar kriza shëndetësore, megjithatë të duket shumë më ndryshe nga festa e zakonshme në qytetin romantik italian, transmeton Koha.
Tradicionalisht, në festivalin e Venecias yjet e filmit vinin në qytet me barka, ku pastaj priteshin nga adhuruesit e entuziazmuar me të cilët pozonin për fotografi dhe u nënshkruanin autografe. Një tjetër karakteristike e festivalit ishte edhe atmosfera energjike mbi qilim të kuq.
Ndërsa këtë vit, publikut i është kërkuar të mos e rrezikojë shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të këtilla ku mblidhen shumë njerëz, dhe kështu t’i rezistojnë dëshirës për t’i takuar idhujt e tyre të kinematografisë. Si pasojë, premierat me qilim të kuq për filmat pjesëmarrës të festivalit, do të zhvillohen pa prezencën e fansave.
Protokolli i mbrojtjes nga COVID-19 do të thotë se, çdo personi që e ndjekë festivalin do t’i matet temperatura me të arritur në vendngjarje, dezinfektimi i duarve do të jetë i vazhdueshëm, mbajtja e distancës sociale do të praktikohet në çdo ambient, maskat janë obliguese gjatë shikimit të filmave dhe konferencave për media dhe si pasojë, kinematë do të jetë gjysmë të mbushura me publik.
Pandemia po ashtu ka bërë që numri i filmave konkurrent të jetë më i vogël këtë vit, dhe prezenca e yjeve të listës A në Hollywood do të jetë shumë e vogël dhe e limituar.
Edicioni i 77-të i festivalit të filmit në Venecie, do të mbahet nga data 2 deri më 12 shtator.