20 Qershor, 2023 - 5:00 pm
Nis sonte në qytetin e Pogradecit, edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Festivali do të zhvillohet nga data 20 deri 24 qershor.
Edicioni i vitit 2023 do të sjellë pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni, rreth 80 filma. Në program është parashikuar të projektohen filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.
Veprat filmike përfaqësojnë Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi.
Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 5 ditëve, në dy lokacione: programi i paradites do të shfaqet në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11.00. Programi i mbrëmjes do të fillojë nga ora 19.00, në lokacionin e dytë, pak metra larg liqenit të Ohrit, në Odeonin e mundësuar nga Bashkia Pogradec. Çdo mbrëmje aty do të shfaqen filma të vjetër shqiptarë të cilët janë restauruar së fundmi.
Edicioni i 13-të i Festivalit mundësohet falë mbështetjes së çmuar të Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e partnerëve të tjerë./atsh/KultPlus.com