24 Tetor, 2022 - 10:26 am
Nga sot e deri më 29 tetor do të zhvillohet “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik. Tema e këtij viti është “Kthim në të ardhmen” e fokusohet në trashëgiminë arkeologjike.
Festivali prezanton 8 filma (me titra shqip) nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Dita e parë çelet me podkastet nga Apolonia, në Muzeun e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Më pas shfaqet filmi “Muzeu arkeologjik i Napolit, mbartësi i qytetërimit” me regji të Laura Pintus, 52’ dhe prodhim i vitit 2021.
Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë në këtë festival: “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”. Përpara çdo projeksioni do të ketë një prezantim 10 minutësh mbi një temë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj.
“Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike si novacioni digjital, turizmi etj.
Festivali mbahet në dy hapësira, Muzeu Arkeologjik dhe Salla UNESCO e Muzeut Historik Kombëtar. /atsh / KultPlus.com