11 Nëntor, 2021 - 11:59 am
Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë ka bërë të ditur se nga data 15 deri më 21 nëntor 2021, do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.
“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim.
Festivali do të hapet më 15 nëntor me përurimin e “Bistrot Montmartre” në kolegjin AAB, si pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të konventës që vendos ‘Praninë Franceze’ në Universitet.
Në anën tjetër, po më 15 nëntor, nga ora 19:00, aktivitete e festivali vazhdojnë në Kino Armata, me shfaqjen e filmit “Le sens de la fête”./KultPlus.com