20 Mars, 2020 - 10:57 am
Festivali i filmit në Kanë nuk do të mbahet në muajin maj siç ishte planifikuar, kjo për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e kësaj ngjarje të rëndësishme kinematografike.
Ata po ashtu kanë bërë të ditur se po konsiderojnë ta shtyjnë festivalin për fund të muajit qershor, transmeton Koha. Kjo ngjarje e cila i mbledh disa prej aktorëve, regjisorëve dhe personaliteteve më të njohura në rivierën franceze si dhe përcillet nga një numër i madh i publikut mbarëbotëror, tradicionalisht është mbajtur nga 12 deri më 23 maj.
Ndërkaq, lajmi i anulimit të festivalit vjen disa javë pas spekulimeve rreth mbajtjes së tij. Franca, është në ditën e tretë të izolimit me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Në këtë kohë krize shëndetësore, me po mendojmë për të gjitha viktimat e COVID-19 dhe po solidarizohemi me të gjithë ata që janë duke e luftuar këtë sëmundje. Festivali i Kanës nuk mund të mbahet në data e planifikuara, nga 12 deri më 23 maj. Aktualisht, jemi duke i konsideruar disa opsione se kur mund ta organizojmë atë, dhe gjasat më të mira janë që festivali të mbahet kah fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut,” thuhej në deklaratën e lëshuar për media.
Festivali i filmit në Kanë është ngjarja e fundit në industrinë e showbizit që është dashur të shtyhet ose anulohet, që nga shpërthimi i pandemisë globale të koronavirusit. / KultPlus.com