Festivali i filmit të animuar ‘Anibar’ publikon programet speciale të edicionit të sivjetëm

16 Korrik, 2021 - 6:59 pm

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar së shpejti pritet të fillojë me edicionin e tij të 12-të.

Në kuadër të këtij edicioni, do të shfaqen katër programe speciale. Këto programe paraqesin disa tema të ndryshme ku njëri prej tyre, “Variations of Isolation” paraqet pikërisht temën e këtij edicioni, “Izolimin”.

Katër programet speciale që do të shfaqen janë “Brazen”, “Variations of Isolation”, “YOU ANIMAL” dhe “Experimental”. Secili prej këtyre programeve ka kohëzgjatje të ndryshme për t’i dhënë audiencës tonë një eksperiencë të shkëlqyer artistike të animacionit.

Këto programe speciale paraqesin tema të ndryshme duke u fokusuar në një kuptim më të thellë të animacionit, dhe duke ofruar ambientin artistik që secili t’i kuptojë ato nga një këndvështrim artistik. Gjatë kohës së izolimit, Anibar pranoi një numër të jashtëzakonshëm të aplikimeve nga e gjithë bota, shumica e të cilave janë produkt i izolimit.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur listën me të gjitha informacionet rreth progtameve speciale.

Brazen

Programi i parë special është programi me titullin “Brazen”. Brazen paraqet portrete të 30 grave, secila nga sfera të ndryshme të jetës, duke vrapuar nga hijet, dhe duke ekspoluar mundësitë se çfarë duan të bëhen. Në këtë program ndjekim storjen e një astronaute, një perandore dhe një roje të fenerit të detit. Për shkak të padrejtësive dhe izolimit me të cilin janë përballur, tani ato më në fund u nisën për të luftuar padrejtësitë. Kjo seri është bazuar në librat komik më të shitur, “Culottées”, të shkruar nga Pénélope Bagieu, dhe është sjellur në ekran për ju nga regjisorët Mai Nguyen dhe Charlotte Cambon De La Valette me aktoren Cécile De France. Po ashtu, ky film është prodhuar në Francë gjatë vitit 2019. Ju mund të shiqoni Brazen në Kinemanë Jusuf Gërvalla me 29 Korrik duke filluar nga ora 16:00.

Variations of Isolation

Programi i dytë me rradhë është “Variations of Isolation”. Programi përmban 5 filma të ndryshëm me kohëzgjatje të ndryshme, histori të ndryshme, krijuar nga regjisorë të ndryshëm dhe shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm. “Variations of Isolation” do të shfaqet në Kinemanë Jusuf Gërvalla me 29 Korrik duke filluar nga ora 12:00.

Ky program u kurua nga Marco de Blois i cili është një programues dhe kurator i animacionit në Cinémathèque québécoise, një muze dhe arkiv filmi me bazë në Montreal. Ai organizoi shumë retrospektiva për Cinémathèque dhe vende tjera në Kanada dhe jashtë saj dhe luajti një rol kryesor në blerjen e shumë koleksioneve në relacion me pionierë Kanadezë të animacionit (Raoul Barré, Al Sens, Ryan Larkin, René Jodoin, etj.). Ai është gjithashtu programues i festivalit Les Sommets du cinéma d’animation që zhvillohet çdo vit në Montreal dhe Québec.

Me një kohëzgjatje prej 1 orë e 13 minuta, programi i tretë special është “YOU ANIMAL”. Historia e këtij filmi të animuar shfaq Nimfën dhe Roger dhe pengesat që ata kalojnë në lidhjen e tyre. Me regji nga Avid Liongoren, shkruar nga Manny Angeles dhe Paulle Olivenza dhe prodhuar nga Manny Angeles, Erickson Raymundo dhe Joyce Bernal. Këta filma do të shfaqen nëpër çdo ekran të festivalit Anibar, në platformat tona dixhitale, ose më 28 korrik duke filluar nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla!

“Experimental”

Përveç programeve të tjera, festivali na sjell edhe një aspekt të programeve speciale. Një nga programet është i krijuar nga një anëtar i ekipit tonë, Panot Mahmutaj. Në një deklaratë ai thot se “rezultati i këtij programi “Experimental” vjen nga eksperimentimi dhe njohuria e tij. Ai shton se “dështimi është po aq me vlerë sa suksesi”. Ky program vjen si sinonim i fjalës “guxim”. Guximi për të krijuar diçka të pazakontë. Guximi për të provuar dhe krijuar gjëra të reja, duke mos ditur se çfarë do të ndodhë. Ky territor i panjohur hapë rrugët e kreativitetit. Ndërsa programet e tjera u krijuan nga njerëzit e lartëpërmendur të cilët nuk janë pjesë e organizatës.

Festivali i Filmit të Animuar Anibar fillon më 23 dhe përfundon më 30 korrik! / KultPlus.com

Të ngjajshme