17 Korrik, 2022 - 9:46 am
Edicioni i tretë i festivalit të filmit në natyrë Cinema Paradiso ngriti siparin në Paris. Filmat u prezantuan në oborrin ikonik Cour Carree të muzeut të Luvrit. Rreth 2500 spektatorë pritet të vijnë çdo natë për të parë një përzgjedhje të dokumentarëve dhe filmave fiksion.
Festivali u hap me projeksionin e ‘Zjarri i dashurisë’, një dokumentar nga kineastja Sandra Dosa për vullkanologët francezë Katia dhe Maurice Krafft.
Oborri në të cilin zhvillohet festivali është pajisur me një ekran 24 me 11,shezlonge, DJ për shfaqje muzikore live, dhe kabina të vogla me ushqime ku të pranishmit të kenë mundësi të konsumojnë diçka teksa shohin filmat.
Menaxheri i komunikimit të muzeut, Adel Ziane, tha se Cour Carree ishte “zemra e Luvrit” dhe se festivali ishte në përputhje me “ADN-në e muzeut për të qenë i hapur për të gjitha artet”.
“Është pjesë e ADN-së së muzeut që të jetë i hapur për të gjitha artet, nga kërcimi në kinema, dhe oborri është zemra historike e muzeut të Luvrit, pasi, përpara se të ishte muze, Luvri ishte një pallat mbretëror. Nën këmbët tona janë themelet e kullës mesjetare të (mbretit) Philippe Auguste, këtu filloi gjithçka. Tani, në këtë oborr, ne rilidhemi me atë histori të muzeut përmes këtij festivali dhe ngjarjeve që organizojmë shpesh këtu.”
Muzeu i Luvrit u ndërtua për më shumë se 800 vjet dhe ishte rezidenca e mbretërve francezë deri në mesin e viteve 1700./KultPlus.com