17 Korrik, 2018 - 11:07 pm
Arbër Selmani
Tregimi “Rooftop Story” me regji nga Gazmend Nela sonte e ka hapur edicionin e dhjetë jubilar të Festivalit të Filmit Prifest në Prishtinë.
Tepihu i kuq ka mirëpritur para Teatrit Kombëtar të Kosovës artistë dhe personalitete të ndryshme në hapjen e këtij edicioni të dhjetë, kur kujtohen në retrospektivë momentet më të mira të nëntë edicioneve të mëparshme dhe planet për edicionet tjera të një festivali që po kthehet në një pikë reference në hartën e festivaleve prestigjioze të filmit në Ballkan.
Ky edicion i dhjetë u hap sonte dhe për disa ditë në Prishtinë do të sjellë filma, panele, debate, diskutime, punëtori dhe takime me artistë nga mbarë bota.
Drejtoresha Vjosa Berisha e ka shpallur të hapur festivalin duke kujtuar momente të ndryshme dhe kësisoj ëndrrën për të realizuar një festival në Kosovën të shpallur shtet.
“Nuk më besohet që kemi arritur deri në vitin e dhjetë jubilar. Para një dekade kur vendosëm të realizonim festivalin, kishim udhëtuar nëpër festivale të ndryshme dhe donim diçka të tillë edhe në Kosovë. Ishte momenti për Kosovën me një festival, pasi edhe e shpallëm pavarësinë. E patëm guximin dhe e sollëm Prifestin, sot po e realizojmë ende festivalin dhe po bëjmë plane për të ardhmen, prandaj jam e nderuar dhe e lumtur në mesin e të gjithë atyre që kanë ndihmuar që ky festival të jetë aty ku është sot” tha mes të pranishmëve Vjosa Berisha.
Aktorët Afrim Muçaj dhe Njomza Fetiu e hapën festivalin me falenderimet e tyre në cilësinë e moderatorëve, duke sjellë një mëlmesë kënaqësie në festivalin PriFest dhe në natën e hapjes, kur vëmendje gjithmonë bjen mbi artistët dhe filmin si kryefjalë.
Nga nesër deri me 22 korrik, PriFest do të sjellë programet garuese dhe ato jashtë garës me filma me tematikë nga më të ndryshmet.
Në këtë natë të hapjes, festivalin e përshëndeti edhe Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës në Kosovë.
“PriFest-i ka zënë vend të arsyeshëm në kinematografinë shqiptare. Programet përcjellëse apo plotësuese kanë ndikuar edhe më shumë në fuqizimin e PriFest-it. Programet e PriFORUM-it si: ‘Kosova’s Rising Stars’ ku PriFest-i promovon aktoret e rinj të Kosovës, para filmbërësve ndërkombëtar, si aset në koproduksionet e ardhshme. Si ministër, zotohem së do t’i mbështes projektet e tilla të cilat do ta përfaqësojnë kinematografinë shqiptare si në vend ashtu edhe jashtë Republikës së Kosovës” ka treguar në hapje Kujtim Gashi nga Ministria e Kulturës, e cila ka ndihmuar në realizimin e këtij edicioni të festivalit, shkruan KultPlus.
Nga Raifaissen Bank, Robert Ëright tregoi entuziasmin e tij për të mbështetur një festival i cili para dhjetë vitesh nisi si një provë ndërsa sot është një festival me renome dhe një festival që ndihmon në kulturën shqiptare.
Në këtë edicion, vlen të përmendet rikthimi i Vanessa Redgrave – aktorja e njohur që fitoi Oscarin por edhe ishte pjesë e Prifestit në edicionin e tij të parë, atëherë kur ajo me gjithë vuajtjen për vajzën e saj të vdekur gjeti forcë dhe kurajo të vinte në Kosovë. Ajo në fund të festivalit do të nderohet me një çmim për kontributin e saj në kinematografinë shqiptare.
Filmi “Rooftop Story” u dha sonte në dy lokacione: tek Teatri Kombëtar i Kosovës dhe tek platoja në Sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet, njëjtë sikur edhe ceremonia e cila ndodhi në të dyja lokacionet, njëra pas tjetrës.
Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest. / KultPlus.com