17 Gusht, 2020 - 8:16 pm
Ndryshe prej herave të tjera, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” sapo ka filluar për herë të parë me edicionin e tij digjital, si shkak i rrethanave pandemike shkruan KultPlus
Në fjalën hyrëse të përcjellur me një spot shumë interesant, nga një përfaqësuese e Anibarit u tha që ky edicion u dedikohet të gjithë atyre që po sakrifikojnë në forma të ndryshme në këto rrethana të pandemisë botërore COVID-19.
“Këtë edicion të festivalit ne do t’ua dedikojmë të gjithë atyre që shërojnë, japin mësime, krijojnë, shkruajnë e këndojnë, rrëfejnë, shërbejnë, gatuajnë, ndihmojnë, zhvillojnë, ngushëllojnë, mbështesin dhe infromojnë”
“Juve njerëzve”, është thënë në fund të dedikimit njerëzor dhe profesional nga Anibari.
“Shitësve të tregut, dhe atyre që mbushin rafte, fermereve, bukëpjekësve, teknikëve që rregullojnë lidhjet e dobëta të internetit, pastrusesve të rrugësve, farmacistëve që punojnë jashtë orarit, artistëve që kompozojnë, shkruajnë dhe informojnë virtualisht sa për të na siguruar se paqja vjen në formën e artit, të gjithë atyre që punojnë për të siguruar vaksinë, zjarrëfiksëve, atyre që kanë gadishmëri të pranojnë dhe ndajnë rrëfime, mbrojtësve të drejtave dhe lirive tona, kujdestarëve dhe të sëmurëve në shtëpi, vullnetarëve që kohën e japing për t’u siguruar të tjerëve ushqim, gazetarëve, mësuesve, infermiereve dhe doktorëve. Juve njerëzve”.
Meqë është edicion digjital, këtë vit hapësira është transformuar nga ajo fizike në atë virtuale, Anibari, falënderon të gjithë mbështetësit.
“Në edicionet tjera ju kemi pritur në këtë hapësirëpër të filluar festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar. Këtë vit po vijmë në shtëpitë tuaja. Faleminderit juve për përkrahjen e vazhdueshme që na keni dhënë gjatë gjithë kohës, për mbështetësit dhe partnerët e këtij edicioni”.
Filmat do të mund t’i përcjellni në platformën online.anibar.org prej 17 deri 30 gusht. / KultPlus.com