17 Korrik, 2023 - 11:28 pm
Sot festivali ndërkombëtarë i filmit të animuar Anibar, hapi zyrtarisht edicionin e tij të 14-të. Ceremonia e hapjes u mbajt në Kino “Liqeni” ku të pranishëm ishin shumë dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore si dhe ndërkombëtare.
Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 160 filmash të përzgjedhur nga 1509 aplikime nga e gjithë bota. Filmat ndahen në nëntë kategori, shtatë prej të cilave janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë, Kategoria e të Drejtave të Njeriut, Filmat e Audiencës së të rinjëve dhe dy kategori tjera jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe programi Eksperimental.
Përveç shfaqjes së filmave të animuar, si çdo edicion tjetër edhe këtë vit do të ketë programe tjera, ku përfshihen tre prezantime, pesë punëtori, katër panele dhe dy programe speciale. Si në vitet e mëparshme, të ftuar special do të bashkohen për të ofruar njohurinë e tyre rreth industrisë së animacionit.
Edhe këtë edicion do të ketë një program të veçantë të kuruar të realitetit virtual VR ku do të shfaqen gjithsej katër filma nga vende të ndryshme të botës. Ky program do të ofrojë mundësinë për të parë filma në një mënyrë jo tradicionale duke stimuluar se si industritë kreative mund të shprehin histori. Të gjithë këta filma do të shfaqen në Galerinë e Arteve të Pejës.
Anibar këtë vit sjell edhe programin muzikor, ku do të performonjë shumë artistë si: Lon Mirdita, Erleta Kadrija, Bedi Pejani, Adrian Berisha, RON, Rebiswan, Genc Elezaj, Conquering Lion, Florent V, Papaya Tropical, Yll Megi, Edona Reshitaj, Matale, La Fazani dhe OLT.
Ky edicion i festivalit të filmit të animuar Anibar do të zgjas plot 7 ditë, duke përfunduar më 23 korrik.
Edicioni i 14-të është një ftesë për të gjithë me qëllim të zhvillimit të industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij.
Qëllimi kryesor i Anibarit është shpërndarja e dashurisë, pranimi i të gjithëve, duke u ofruar të gjithë pjesëmarrësve një hapësirë të sigurt për t’u shprehur pa u ndjerë të gjykuar, të diskriminuar ose të lënë jashtë. Ky edicion ka të bëjë me dashurinë dhe të gjitha format e saj të ndryshme./KultPlus.com