21 Prill, 2025 - 9:23 am
Gjirokastra u bë qendër e reflektimit historik dhe dialogut kulturor përmes shfaqjes së filmit dokumentar “Gjenerata e imazheve” të regjisorit austriak Johannes Gierlinger. Dokumentari trajton proceset transformuese që ka kaluar Shqipëria, me fokus në kalimin nga diktatura komuniste drejt një shoqërie demokratike.
Përmes një stili eseistik dhe një gjuhe filmike poetike, “Gjenerata e imazheve” ndërthur materiale arkivore, intervista dhe pamje bashkëkohore për të ndërtuar një narrativë të thellë mbi kujtesën kolektive dhe ndikimin e së shkuarës në të tashmen.
“Kam realizuar filmin ‘Gjenerata e imazheve’, i cili është rreth Shqipërisë , një vështrim mbi të shkuarën dhe mënyrën sesi ajo ndikon të tashmen. Në film përfshihen tre gjenerata: Gjenerata më e vjetër, ajo që ka qenë pjesë e transformimeve dhe gjenerata e re, që nuk e ka përjetuar komunizmin, por ndjen peshën e fantazmave të së kaluarës”, tha regjisori Johannes Gierlinger.
Ky aktivitet kulturor solli jo vetëm një përvojë kinematografike të veçantë, por edhe një mundësi për reflektim të thellë mbi kujtesën, ndryshimin dhe rolin e brezave të rinj në ndërtimin e narrativave të reja.
“Gjatë katër viteve që kam xhiruar këtu, rashë në dashuri me vendin dhe me njerëzit. Pavarësisht së kaluarës së dhunshme, mund të shohësh kaq shumë pozitivitet mes brezit të ri , një brez që ka potencialin të çojë vendin drejt realiteteve të reja. Por të flasim për të shkuarën mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme”, shtoi Gierlinger.
Përgjatë këtij viti në kinemanë e qytetit të Gjirokastrës janë shfaqur prodhime kinematografike shqiptare dhe të huaja, të cilat kanë tërhequr interesimin e artdashësve./euronews/ KultPlus.com