1 Nëntor, 2020 - 5:43 pm
Të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 20.15 në kinemanë “Apollo Theater” do të shfaqet para publikut në Vjenë filmi shqiptar “Dita zë fill”.
Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, në kuadër të “Javëve të Kulturës Shqiptare” do të realizojë edhe një aktivitet para se të hyjnë në fuqi masat e reja të ndërmarra nga Qeveria austriake, e të cilat do të zbatohen nga data 3 nëntor.
Kështu, të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 20.15 në kinemanë “Apollo Theater” do të shfaqet para publikut në Vjenë filmi shqiptar “Dita zë fill”.
Filmi është produkt me skenar dhe regji të regjisorit të njohur, Gentian Koçi.
“Dita zë fill” ishte përzgjedhur si kandidaturë zyrtare e Shqipërisë për “Oscar” në kategorinë e “Filmit më të mirë të huaj” si dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare.
Në festivalin e Sarajevës ky film fitoi çmimin për “Aktoren më të mirë”, meritë kjo e aktores kryesore të filmit, Ornela Kapetani.
Filmi do të shfaqet në:
“Dita zë fill” është një dramë intime, e cila ndodh në një banesë në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Violeta- Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. E bërë nënë prej pak muajsh pas vdekjes së të shoqit, Violeta është e vetme.
Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh. Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej banesës së tyre me qira, ata shpërngulen në shtëpinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të shtrirë në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht. Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike.
“Dita zë fill” është film i xhiruar në interior dhe me pak personazhe, ku interpretojnë aktorët Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha etj./ albinfo/ KultPlus.com