7 Shtator, 2017 - 5:40 pm
Recollection është një film dokumentar i cili reflekton mbi identitetin dhe kujtesën, mbi udhëtimin e mundimshëm të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 90-të.
Art Haxhijakupi ka zgjedhur kujtimet e fëmijërisë dhe gjithçka e ka vendosur në minutat e dokumentarit “Recollection”.
Kujtimet e tij, si programet televizive të Serbisë, programet e Vitit të Ri në Kosovë, këngët e mësuara nga mediet e Shqipërisë, vetë ai si një djalë i vogël i xhiruar nga nëna e ti. Ky film dokumentar luan me hapësirën dhe kohën, me pop kulturën dhe me politikën.
Filmi, pasi këtë vit u dha në DokuFest, do të shfaqet edhe në Londër, me iniciativën e Alexander Nash Albanian Studies Programme. Me datë 29 shtator, filmi vjen në University College London.
“Ky dokumentar vë në pah ndarjen e dhunshme të shqiptarëve nga territoret dhe pronat publike të asaj kohe, si dhe shfrytëzimin e video-kasetave si mjet komunikimi kulturor e nacional me shqiptarët në mërgim. Poashtu ky projekt anashkalon narrativen heroike mashkullore mbi të kaluarën e Kosovës që kryesisht ka qenë cdo herë më prezente, duke i dhënë vëmendje më shumë kontributit të grave, fillimisht kontributit të nënës time, këngëtareve, dhe mbi të gjitha grave të guximshme anë e kënd Kosovës, që edhe shihen në këtë film” tregon Haxhijakupi për KultPlus.
Vetë dokumentari tregon për mendimet dhe sfidat e regjisorit, me kujtesën dhe identitetin, duke kujtuar një udhëtim kolektiv shqiptar në një kohë shtypjeje dhe rezistence.
Haxhijakupi është artist dhe hulumtues nga Kosova, më parë fitues i Chevening Award dhe pjesë e disa organizatave në Kosovë e Angli. / KultPlus.com