25 Prill, 2019 - 3:30 pm
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë u realizua premiera e filmit “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi” – Portret kulturor – Regjisore: Fitore Rubovci.
Siç shkruhej në lajmërimin përkatës:
“Ky film dokumentar i dedikohet albanologut suedez Ullmar Qvick, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas”.
Filmi dokumentar, me skenar të Fitore Rubovci, është realizuar dhe mbështetur në motivet e kryeveprës së Ullmar Qvick “Më shumë heroizma se sa grurë”, ku autori përmes një këndvështrimi postmodern dhe europerëndimor i shtjellon arritjet dhe problemet kryesore aktuale, në të gjitha trevat shqiptare.
Titrat e filmit janë në gjuhën angleze.
Në qendër të filmit është albanologu Ullmar Qvick, kurse rreth tij shfaqen e shprehen njohës dhe studiues të veprës së tij: shkrimtarë, gazetarë, artistë, mësues dhe intelektualë të tjerë të sferave të ndryshme në Suedi, Kosovë e Shqipëri, të cilët ndriçojnë emrin dhe veprën e Ullmarit si një ambasador i kulturës shqiptare në Suedi.
Ata shprehen me sinqeritet, me fakte dhe argumente, përcjellin opinionin shumëvjeçar për jetën, veprën dhe personalitetin e albanologut Qvick, emri i të cilit përmblidhet bukur në siglën “Mik i Madh i Shqiptarëve”./ albinfo.ch/ KultPlus.com