2 Shtator, 2020 - 10:32 am
Ballsor Hoxha
Shoqëria njerëzore ende vuan dhe është nën kompleksin, konfliktin dhe kërcënimin që ndien ndaj tjetrit (të huajit). Apo, thënë ndryshe, në klasiken e psikologjisë, ajo e konfirmon veten e saj si një kolektiv në raport me shtypjen dhe stigmatizimin e tjetrit.
Filmi “Exile” i regjisorit kosovar Visar Morina, është ko-produksion gjerman (Komplizen Film), kosovar (Ikonë) Studio), dhe belge Frakas.
“Exile” është film i cili hapë këtë problem njerëzor, në nivelin kontekstual dhe në atë universal, duke e vëzhguar njeriun në përpjekje të jetojë tjetër dhe të kalojë dallimin. I huaji, në zhargonin popullor, apo – tjetri në fjalorin më të lartë, është kërcënimi, qoftë edhe i vetëm. Është kërcënim qoftë edhe nëse është i suksesshëm, Apo në të vërtetë është kërcënim posaçërisht nëse është i suksesshëm. Tjetri është kërcënimi i kolektivit, asimilimit të tij, tëhuajsimit të tij dhe të dobësimit të tij.
Diku afër kulminacionit të filmit, në skenën e filmit “Exile” kur kompania ku punon protagonisti i filmit ka fituar kontratën për pesë vitet e ardhshme, flitet për të gjitha “nivelet” në të cilat “banojnë” dhe prej nga vijnë punëtorët e kompanisë. Në këtë protagonisti kosovar në ekzil, pyetet se prej nga është. Atij i duhet të përsëris disa herë se është nga Kosova. Për një moment të gjithë duartrokasin, fillojnë të duartrokasin në sinkroni dhe duke mos u ndalë. Vetëm pse personazhi Xhafer Kryeziu (luajtur nga Misel Maticevic) është nga Kosova.
Kjo duartrokitje, inciuar në film nga armiku në punë i protagonistit, dhe ngritur në nivel kolektiv dhe atë pa ndalë për kohë të gjatë, pa asnjë shkas apo kuptim, apo duke pas për të vetmin argument se një kosovar punon në atë kolektiv, është dhunë, izolim brenda kolektivit, dhe ironi e papërkitjes së tij në përhershmëri. Duartrokitja në të vërtetë është dhuna e cila shtresohet në totalitet si univers i paikshëm e në të njëjtën kohë edhe i pa-sfidueshëm.
Kjo duartrokitje në të vërtetë është pikërisht ajo që u quajt klasike e psikologjisë mbi konceptin e tjetrit: është konfirmim i arritjes, lirisë dhe mundësisë së shoqërisë/kolektivit të këtij universi real të këtij filmi përmes duartrokitjes një kosovari vetëm pse është kosovar brenda këtij kolektivi. Kjo është shtypja klasike e njeriut tjetër si ndryshe por edhe si i – zbutur – brenda kolektivit mikëpritës.
Filmi “Exile” në regji të regjisorit kosovar Visar Morina, në produksion gjerman me aktorët kryesor Misel Maticevic dhe Sandra Huller, është film tejet i sofisktikuar shprehur në planin up – close and personal të protagonistit, gjë që krijon efektin e të ndierët të aksionit, ngjarjes dhe jetësimit të filmit deri nën lëkurë. Kjo kinematografi është vëzhgim dhe përafrim i ndjeshmërisë së përjetimit të protagonistit deri edhe tej kufirit të mbrojtur të intimitetit, apo duke thyer edhe kufirin ndarës ndërmjet kinematografisë dhe përjetimit të filmit përmes kalimit të kufirit të aktrimit/personifikimit në (dyshim) të njerëzores . Në të vërtetë është film i rëndë/serioz i cili (siç edhe është cilësuar nga kritika – klaustrofobik në skenën e tij) krijon universin real të filmit të padalje, të paikshëm dhe në ballë të çdo frymëmarrje, lëvizje dhe edhe ëndërr të protagonistit.
Kjo është e arritur mjeshtërisht në këtë film përmes minimalizmit të skenës dhe të minimalizmit të ngjarjes në film. Në të vërtetë në tërësi janë vetëm dy vendngjarje: vendi i punës, një kompani kimike në Gjermani krejtësisht klaustrofobike, ku punon protagonisti Xhafer Kryeziu: dhe shtëpia e protagonistit. Po ashtu edhe numri i aktorëve është minimalistik, në përgjithësi me protagonistin, kundërshtarin Urs i cili bën vetëvrasje dhe gruan e protagonistit në të shumtën e filmit. Ky minimalizëm krijon afërsinë e paikshme dhe në ballë të çdo lëvizje dhe frymëmarrje të protagonistit duke e krijuar realen e përjetimit të një të mërguarit, të një të huaji në një ambient kolektivi bashkëkohor i cili nuk arrin të percpetoj, të integroj dhe të pranoj një të huaj – një tjetër i cili mundet dhe gjen kuptim të jetës së tij në këtë kolektiv.
Megjithëse filmi luhet dhe shprehet në rrafshin psikologjik, ai është në të vërtetë film me ndërthurje të zhanreve dhe të situatave që vëzhgojnë dhe trajtojnë shtresat e një jete të të mërguarit në përpjekje për integrim në tërësinë e saj. Në këtë filmi shprehet përmes asaj që quhet abject (përafërisht – neveri) të mungesës së kufirit të personës së protagonistit, në të vërtetë të afërsisë së tij tej intimes – deri në njerëzim të senzacionit kinematografik, thënë ndryshe dokumentarizim të tij.
Ky abject në filimin “Exile” është teknikë kinematogrfike e cila e vizuelizon dhe jetëson peshën, presionin real të tjetrit në një kolektiv konezarvativ. Një prej simbolikave të këtij abject është edhe kërcënimi i protagonistit nga kolektivi përmes minjëve të ngordhur e gjë e cila është fobi e tij treguar në kolektivin e punës së tij.
Mirëpo, më tutje, janë dy shtresa mbi të cilat ndërtohet kjo abject teknikë në jetësimin e presionit real të tjetrit në një kolektiv konservativ si ky i filmit “Exile”:
1. pamundësia për të pasur të drejtë; pamundësia për t’u ankuar; pamundësia për të qenë i përkahur izoluar në kontekstin e huaj klaustrofobik
2. up close and personal përvijimi i toruturës, dhunës dhe izolimit brenda këtij universi real të filmit “Exile”.
Por në të vërtetë abject në fjalë është përafrimi i përjetimit dhe skenave me pak dallim apo fare pak dallim ndërmjet dhunës dhe përpjekjes së “tjetrit”. Në këtë vëzhgim abject njeriu, tjetri, është një i arritur dhe i aftë, i cili tërësisht ngadalë, durimshëm dhe me sofisktikim teknik kinematografik dhe të skenarit thyhet, dezintegrohet dhe në fund humb tërë ndërtimin e jetës së tij në këtë univers. Ky kalim, nga fuqia dhe aftësia për të përballur tërë kolektivin dhe për të arritur tutje në kolektiv është pikërisht abject i cili jo vetëm se kinematografizohet por edhe e vendos shikuesin në burgun e “tjetrit” pa dalje dhe pa sensacionin e çudisë apo të papriturës artistike, si premtim për argëtim.
Dezintegrimi që e vëzhgojmë të mbyllur në klaustrofobinë e universit të filmit dhe të skenave të tij krijojnë neverinë e të qenit i shtypur, i huaj dhe tjetër deri në mungesë logjike, drejtësie dhe edhe mbrojtjeje.
Më tutje, filmi “Exile” është tejet i suksesshëm në renditjen e skenave të cilat shpërfaqin dezintegrimin e protagonistit nën këtë presion abject.
Në të vërtetë protagonisti si tjetër, është rrënjësisht i goditur dhe i tronditur në kolektivin ku jeton dhe me këtë ai kalon në paranojë tejet të rrezikshme.
Në skenën brilante, derisa Xhaferi dhe bashkëshortja e tij (Sandra Huller) janë duke fjetur, Xhaferi i përfshirë në paranojë fillon të merr erë gruan e tij për të gjetur shkasin e tradhtisë bashkëshortore. Për një moment, derisa ata fillojnë të puthen, ai e gulfatë atë dhe nuk e lëshon. Shikuar në raport me ngjarjen e filmit, ky veprim i tij është shprehje e agresionit të përjetuar dhe edhe afekt në paranojë. Mirëpo kjo është fenomen psikologjik i kthimit të tij në zanafillën apo edhe në “krevatin” e tij për të vrarë çdo gjë që e lidh me këtë univers/kolektiv. Është dorëzim dhe ringjallje e vrasësit për të kapur “drejtësinë” në duart e veta. Është pendim i tjetrit për lidhjen me kolektivin “Mikëpritës”, dhe tendencë për të zhdukur, harruar dhe për të këputur çfarëdo lidhje me atë.
Në skenën tjetër atë e nxënë ankthi duke parë në ëndërr foshnjet minjë duke thithur nga nëna e tij. Kjo në raport të drejtë me ngjarjen e filmit është ankthi i përbashkimit të kolektivit dhe të të mbijetuarit/manifestimit në mënyrë të përbashkët dhe në këtë pandashmëria e tyre, apo edhe asimilimi i tij, që ka filluar ta brejë qysh në kohërat para ngjarjes së filmit, sidomos në raportin e tij me vjehrrën e tij dhe në marrëdhënien jashtë martesore me pastruesen po ashtu shqiptare në vendin e tij të punës. Mirëpo në shtresën më të thellë, ky ankth i tij që e sheh Xhaferi/protagonisti, është kthim në të kaluarën e tij, kthim në mizerjen e tij, ku xhaxhai i tij ka bërë vetëvrasje me kokë në shporet. Është kthim në instiktiven dhe në ferrin e tmerrit të tij, jo për shkak të pamundësisë së kthimit apo të të të kaluarës, por në të vërtetë është të parit të zhveshur të kolektivit dhe të instinktit të kolektivit i cili ende është peng i po të njëjtit. Është tërë abject-i i njerëzores, ende peng i mizerjes së tij.
Në disa raste (së paku dy) Xhaferi është i tmerruar nga mënyra se si thitë nga gjiri i nënës/bashkëshortes së tij djali i tij (megjithëse i ka dy vajza të rritura). Kjo tanimë është shtresë tej sipërfaqësores dhe ka të bëj me tmerrin dhe ankthin e të parit të primordiales. Të pangopshmërisë. Të egoizmit, qoftë edhe në beben/djalin e tij. Dhe të pakthyeshmërisë së fatit njerëzor pre e instinktit të tij.
Këto tri skena e japin të qartë kthimin në instiktive si vetëmbrojtje ndaj dhunës, presionit, izolimit, ndaj të huajve/kolektivit ku jeton në radhë të parë të protagonistit, nën presionin e dhunës së bardhë të kolektivit dhe në universin në të cilin përpiqet, dhe po ashtu edhe shtresimit të dhunës në shoqërinë njerëzore përmes regjisë dhe skenarit e cila çanë në paranojë dhe e kthen në vrasës njeriun i cili tanimë ia kishte dalë në një univers dhe kolektiv të ri.
Filmi “Exile” i Visar Morinës, është film që ndërtohet dhe shprehet në disa shtresa. Është film: për integrimin e të huajit në Gjermaninë bashkëkohore; film për largësinë ndërmjet kulturave dhe me këtë mosnjohjen; dhe aq më shumë është film për – tjetrin.
Në film, sipas tërë ngjarjes dhe sipas ndërtimit të tij ka vetëm dy zgjidhje:
– dorëzimin deri në vrasës të gruas dhe dezintegrim të rrënjësishëm;
– apo asimilim dhe pranim të rolit të të qenit turp edhe i familjes vetëm pse është tjetër.
Kjo në të vërtetë është vetë pasqyrë e kontekstit ku ndodh filmi dhe po ashtu edhe pasqyra e shoqërisë njerëzore nën pengun e vetëdijes kolektive si përvojë unike dhe etnike. Qoftë edhe në kolektiv bashkëkohor si ky në filmin e regjisorit Visar Morina, pengu i të qenit të pastër etnikisht, apo edhe në vetëdije kolektive është i pakalueshëm. Në të vërtetë filmi e bën të qartë disa herë dilemën, nëse kjo bëhet për shkak të agresioneve brenda vetë këtij kolektivi, nëse kjo është e vetëdijshme apo nëse është sjellje krejtësisht e pavetëdijshme. Por ajo që është me rëndësi është se tjetri nuk mund të mbetet. Atij duhet t’i caktohet vendi i tij.
Në anën universale të njeriut me – tjetrin, si përfundim, tjetri, është kërcënimi i vetëm i njeriut, jo vetëm në mirëqeninen e tij dhe në reflektimin e tij të vetëdijshëm, por sidomos në territorin e tij. Në vetë pastërtinë e tij, qoftë etnike apo edhe të përvojës së tij të përbashkët. Në këtë kërcënim tjetri nuk zhduket edhe nëse vritet, edhe nëse zhduket. Në të vërtetë kërcënimi rrjedhë nga të qenit e tij ndryshe dhe një botë edhe e re e edhe jashtë kolektivit. Gjë që krijon kërcënimin për hapjen, dezintegrimin dhe tëhuajsimin e botës së njohur të kolektivit. Në këtë tërë që mbetet është që tjetri të dorëzohet dhe të përkulet para asimilimit dhe të pranojë kolektivin në rolin që i cakton ai. E ky rol, për të qenit në ekzil, për të mërguarit, për pakicat, është gjithnjë aty ku ata nuk janë më kërcënim. / KultPlus.com