23 Dhjetor, 2020 - 12:27 pm
Shkruan Ballsor Hoxha
Filmi “Flying Circus” me skenar dhe regji të Fatos Berishës.
Çka ka më absurde, se në një kohë lufte dhe katastrofale si ajo e Kosovës në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, të jesh aktor. Të kesh shfaqje dhe aq më shumë të udhëtosh në festival të teatrove? Ku është kuptimi i artit dhe aktrimit në këtë brenda makinerisë së vrasjes së quajtur luftë e cila nuk pyet as për fëmijë e as për pleq? Por, pikërisht këtu shfaqet magjepsja dhe magjia e “koincidencës së rasëtishme” të artit vetë. Këtu regjisori Fatos Berisha e nisë shtjellimin e këtij paradoksi dhe vullneti të njeriut, aktrimit artistik edhe në luftë. Me mjeshtërinë e tij prej skenaristi dhe regjisori në filmin “Flying Circus” – shtrinë vullnetin e aktorit të realizojë ëndrrën e artit. Nisë një udhëtim të katër të pasionuarve pas aktrimit dhe teatrit, me gjithë absurdin e luftës, dhe brenda absurdit të luftës, bazuar në ngjarje të vërteta, të jetësoj vetë vullnetin e njeriut duke mos iu dorëzuar luftës, apo, aq më shumë, duke e ngadhënjyer absurdin e luftës me art.
Filmi “Flying Circus” i Fatos Berishës, është një udhë dhe udhëtim në kërkim të ëndrrës, ëndrrës së artit, thënë më saktësisht të aktrimit dhe teatrit. Por që për këtë rrugëtim duhet braktisur edhe familjen, shtëpinë, edhe jetën (fizike dhe të mirëqenies), edhe mundësinë për të mbrojtur shtëpinë dhe vendin, dhe, në fund, ndoshta edhe mundësinë për t’u kthyer ndonjëherë.
Është udhë e katër aktorëve, që braktisin të tërën që është, edhe luftën, edhe mundësinë për të mbrojtur familjet e tyre, për ëndrrën e tyre të aktrimit dhe të shfaqjes së tyre. Katër aktorë që nuk besojnë në atë që po bëjnë, katër aktorë që nisen nëpër katrahurat e luftës dhe të kufijve ballkanik (lexo: vullnetit të vrasësve të rastësishëm etj); duke qenë të dhunuar deri në mungesë ushqimi për fëmijtë e tyre, aktorë, por që megjithatë nuk ndalen, nuk mund të ndalen para ëndrrës së tyre, para artit, të tyre, para artit vetë. I bartë ëndrra vetë përmes “koincidencave të rastësishme”.
Nën regjinë e Berishës, kjo koincidencë e rastësishme bëhet e vërtetë. Katër aktorët kosovar nisen në këtë udhëtim, prej Kosovës/Prishtinës në Shqipëri, përmes Malit të Zi, në një festival të teatrove në Tiranë. E pikërisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën Tiranë ndodhet Michael Palin. E ndodh që Palin është një prej anëtarëve të grupit aktrues Monty Python, në bazë të të cilëve është ndërtuar dhe titulluar shfaqja e katër aktorëve kosovar – “Flying Circus” sipas “Monty Python’s Flying Circus”. Çfarë “koincindence e rastësishme” siç thotë profesori i katër aktorëve në film.
Berisha në regjinë e tij vazhdimisht thurë dhe ndërthur këto “koincidenca të rastësishme” gjë që edhe duke qenë të thurura në komunikimin ndër – kinematografik, e edhe duke qenë ndërthurje e ëndrrës së artistit/aktorit dhe realitetit absurd, krijojnë vetë këtë udhë të filmit si rastësi e ndërdijshme, apo thënë më saktë si shtytje për të ecur nëpër ëndrrën e artit.
Regjisori Berisha, duke e përmbyllur hyrjen e filmit, e le të zhveshur dhe të vetëm personazhin Lekë- Tristan Halilaj, që luan shkëlqyeshëm dhe krejtësisht natyrshëm natyrën lucide të artistit. E le përballë filmit të Bekim Fehmiut në përmbylljen e hyrjes së filmit “Flying Circus”, dhe me këtë e përmbyllë fatin e njeriut të zakonshëm, e përmbyllë, pasi që ka ndërtuar tërë atë që i mbetet njeriut të përballur me dhunën dhe robërinë – luftën si të vetmen mundësi. Por është pikërisht këtu ku lind ëndrra, ku lind arti,
si ëndërr e si realitet: life is a dream within a dream, thotë Leka në shqip, duke cituar Sheakespearin, pikërisht ë këtë skenë. Ai është duke shikuar Bekim Fehmiun duke prerë duart në fatin e tij po ashtu të mbyllur si personazh në filmin e tij të njohur “Mbledhësit e puplave”. “Jeta është ëndërr brenda ëndrrës”, thotë Leka, derisa ai dhe në të vërtetë të katër aktorët kosovar, dhe tërë Kosova është pikërisht përballë ortekut të absurdit të luftës që është lëshuar tatëpjetë Kosovës së viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo thënie hapë atë që arti, skena teatrore, filmi dhe mbi këto aktrimi janë të lindura për ta bërë: ëndrrën brenda ëndrrës, apo thënë më saktë ëndrrën brenda absurdit të luftës siç ndodh në këtë histori.
Berisha ndërton mjeshtërisht hyrjen dhe ndërtimin e kontekstit që është në prag të luftës, dhe në këtë e hapë, e lind një ëndërr, dhe atë jo të heroizmit apo të veprimit që e kërkon ky kontekst por, në të vërtetë, krejtësisht të kundërt, atë të luftës përmes artit/aktrimit.
Udha, udhëtimi i katër aktorëve kosovar, është udhëtim i cili zbulon natyrën e njeriut të mbetur në “koincidencën e rastësishme” të të pasurit një ëndërr arti, e që është edhe bekimi e edhe mallkimi i tyre. “Koincidenca e rastësishme” e këtij udhëtimi të Lekës së lartcekur, tërësisht të humbur dhe që jeton për artin dhe aktrimin, aktorit Fatmirit (Shpëtim Selmani) që luan shkëlqyeshëm intelektualin në natyrën e tij të brishtë në çdo rast, megjithëse di edhe të aktrojë “Cowboy”-in në rast rreziku, aktorit Kushtrimi (Armend Smajli) i cili luan babain e ndjeshëm por ende të papjekur, aktorit Donati ( Afrim Muçaj) i cili është “tough guy” i trupës dhe nuk kthehet asnjëherë nga ky udhëtim duke qenë se i bashkëngjitet UÇK në luftë, është në të vërtetë përballje me realen e kontekstit ballkanik dhe shqiptar në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Përballje që prej zyrës së kryetarit të qytetit të “Ulqinit” i cili citon “Hamletin”, e deri në birucat e policisë së “Shkodrës”, e deri në fshatrat zotit prapa shpine të periferisë së Shqipërisë. Është udhëtim i cili krijon botën unike dhe të veçantë shqiptare në këto vite, në këtë dekadë, dhe parakalon personazhe krejtësisht të paimagjinueshme por të vërteta, si në aktrim e po ashtu edhe në jetën e përditshme, posaçërisht si atij të Kristos (luajtur nga Armond Morina) dhe vëllai i tij.
Udha në të vërtetë, siç u cek më lartë, është e ndërthurur tërë kohën, ndërmjet reales dhe kërkimit të ëndrrës, dhe të ndër-thurjes së kinematografisë përbrenda jetësimit të ëndrrës së këtyre katër aktorëve.
Çdo gjë në këtë reale është kundër aktrimit, artit dhe ëndrrës, aq më shumë është kotësi qesharake dhe e paimagjinueshme, por që në të vërtetë zbulon natyrën e njeriut i cili për të luftuar (së paku paraprakisht) zgjedh artin. Të rrethuar me fusha të pafundme, hapësirë e zbrazëtirë të pamatë të periferisë së Shqipërisë, aktorët kosovar, të humbur, zotit prapa shpine, në periferi të Shqipërisë, pyesin kriminelë, një policë të korruptuar, e një bandë fshati kriminelësh, kah i bie Tirana?
Derisa në ndër- thurjen kinematografike, Leka, aktori kosovar, shpëton shqiptarët nën mizërinë e ikjes nga lufta në një kafene të Malit të Zi përballë disa kriminelëve malazezë, duke përsëritur, apo duke përmbushur ëndrrën e tij të të përsëriturit të skenës së Bekim Fehmiut në realitet, duke prerë duart e tij në xhamin e birrës që ka qenë duke e pirë.
Me pasionin e pandalshëm, me ndërthurjen e “koincidencave të rastësishme”, ëndrra përmbushet dhe gjërat ndodhin si në filma. Krejtësisht në “koincidencë të rastësishme”, Kushtrimi ka plotësuar ëndrrën e tij dhe krejt çka ka për të thënë ai, apo secili nga ta, apo secili nga ne të gjithë pasi që e kemi parë këtë film, është “po shkoj në shtëpi”. Është sikur ai ka luftuar luftën e tij, ka ngadhënjyer dhe ka arritur lirinë e tij, qoftë edhe pse e thotë këtë derisa po kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij e cila po bëhet gati për luftën katastrofale të Kosovës.
Derisa i tërë filmi është i ndërtuar në motivin direkt të katër aktorëve kosovar për të takuar Michael Palinin e “Monty Python’s Flying Circus” në Tiranë, i tërë filmi, dhe e tërë ëndrra, dhe me këtë sidomos arti përmbushet në të vërtetë në tërë pastërtinë e ëndrrës së aktorëve për të shfaqur shfaqjen e tyre.
Duke qenë një arsyetim, një shtytje dhe një mbështetje në absurdin e të qenit aktor në luftë, Palin është në të vërtetë arsyetimi për të pasur një ëndërr për aktrim në kohë lufte. Është arsyetimi i të qenit i mallkuar me ëndërr edhe në luftë. Është arsyetimi i të qenit aktor edhe në luftë. Por në të vërtetë është motivi për të luftuar me teatër.
Në lidhje me këtë, skena në periferinë e Shkodrës, derisa këta katër aktorët kosovarë janë duke urinuar, shikojnë yjet në qiell dhe pyeten dhe përgjigjen vetë:
Sa shumë yje paska në qiell?!
Është sepse ka shumë terr në tokë?!
sikur e japin të vërtetën e ëndrrës, artit, dhe aktrimit: sa më terr në tokë aq më shumë ëndrra, aq më e magjishme ëndrra, aq më i fuqishëm ëndërrimi.
Në të vërtet brenda filmit edhe krijohet “koincidenca e rastësishme” e tërë përvijimit të stories, mundësia për të takuar Michael Palinin e “Fyling Circus” por Kushtrimi, i cili e ka këtë mundësi, është duke fjetur. I përmbushur. Duke iu kthyer familjes. Shtëpisë, dhe duke pas arritur ëndrrën e tij, të luaj, të aktrojë dhe aq më shumë të njihet për artin e tij bashkë me tre tët tjerët. Edhe kjo është “koincidencë e rastësishme”.
Por në të vërtetë, në shumë momente të këtij filmi hasim në këtë “koincidencë të rastësishme”. Sikur kjo është motivi i Berishës për të krijuar koincidenca shpërthyese dhe emocionale të cilat në vete bartin edhe moralin e të qenit i mallkuar me ëndrrën e artit e edhe të të qenit i bekuar me këtë ëndërrim.
Duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, pyetemi, a ia vlen arti/aktrimi në luftë? A ia vlente aktrimi në luftë, në Kosovë? Derisa shohim skenat në Tiranë të trupës teatrore të Prishtinës, teatrit Dodona, derisa shohim sytë shkëlqyes të tyre, derisa shikojmë në shkëlqimin e lirisë në sytë ngadhënjyes të njeriut mbi ëndrrën e tij, në aktorët kosovar të filmit “Flying Circus”, ia vlen gjithmonë. Është ngadhënjim mbi absurdin e luftës dhe absurdin e të ligës së njeriut, është ngadhënjim mbi dhunën! / KultPlus.com