15 Gusht, 2020 - 9:35 pm
Në festivalin DokuFest, filmi i Aulona Fetahaj, “She asked me where i was from” ka arritur të shpallet fitues i në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë.
Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.
Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.
“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo. /KultPlus.com