22 Qershor, 2020 - 9:00 am
Studioja “Lionsgate” e ka lansuar trilerin e ri të filmit “Antebellum”.
Derisa fragmentet e para të shkëputura nga filmi i zhanrit triler nuk zbulojnë shumë detaje rreth tij, megjithatë ofrojnë një ide bazë të temës që ky projekt e trajton.
Në film, aktorja Janelle Monae e portretizon një grua në kohën reale, e cila e ka një jetë të mirë dhe të lumtur, por pastaj ajo kidnapohet dhe përmes rrugëtimit në kohë dërgohet në të kaluarën, ku detyrohet të shërbejë si skllave. Nga aty, ajo duhet të luftojë shumë për t’i ikur jo vetëm skllavërisë, por edhe për ta gjetur një mënyrë për t’u rikthyer në kohë dhe në jetën e saj të mëparshme.
Prej tani, filmi ka filluar të marrë vlerësime të mira nga kritikët e filmit, të cilët janë të entuziazmuar për temën që e trajton, dhe mënyrën se si e prek një temë të ndjeshme për shoqërinë amerikane, që është skllavëria.
Përveç Monaes, në film luajnë edhe aktorët: Kiersey Clemons, Gabourey Sidibe, Jena Malone, Jack Huston, Eric Lange, Tongayi Chirisa, Robert Aramayo dhe Marque Richardson. Ndërsa, me filmin “Antebellum”, Gerard Bush dhe Christopher Renz e shënojnë debutimin e tyre regjisorial në film të metrazhit të gjatë. Ata njihen për realizimin e videoklipeve muzikore të yjeve të tillë, si Jay-Z dhe Maxwell.
Aktualisht, “Antebellum” planifikohet të lansohet nëpër kinema më 21 gusht të këtij viti, por ka mundësi të shtyhet kjo datë për shkak të koronavirusit. / KultPlus.com