Filmi i ri shfaqet në vendin e masakrës në Srebrenicë

12 Tetor, 2020 - 8:57 am

Filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores Jasmila Zbanic për masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë është shfaqur për herë të parë në Bosnjë të shtunën, në qendrën përkujtimore të qytetit.

Bazuar në ngjarje të vërteta, filmi tregon ngjarjen e një gruaje boshnjake, Aida, e cila tenton të shpëtojë veten, burrin dhe djemtë e saj derisa punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara.

Në shfaqje pjesëmarrës ishin të mbijetuarit e masakrës dhe dëshmitarët, por edhe djem e vajza të rinj që i kishte ftuar Zbanic, shkruan AP.

Në mesin e audiencës, ishte edhe Almasa Sekovic, e cila ishte dëshmitare teksa vëllai i saj adoleshent ishte marrë për t’u ekzekutuar. Ajo tha se filmi kishte sjellë “aromën dhe zhurmat” e Srebrenicës të korrikut 1995.

“Mendoj se është e rëndësishme që sa më shumë njerëz ta shohin këtë film”, thotë ajo.

Masakra e Srebrenicës, e definuar si gjenocid ndaj civilëve boshnjakë, ka qenë kulmi i luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë, e cila pas më shumë se dy dekadash mohohet nga liderët serbë të politikës.

Zbanic ka kaluar 10 vjet duke studiuar, duke folur me të mbijetuarit e masakrës dhe dëshmitarët.

Ajo ka thënë se shpreson se filmi i saj të shërbejë si “urë emocionale’ jo vetëm për rininë e shtetit të saj por edhe për gjithë botën. / KultPlus.com

Foto: AP
Foto: AP

Të ngjajshme