1 Shtator, 2019 - 9:00 pm
Madje as Martin Scorsese dhe filmi i tij i ri nuk kanë arritur ta rrëzojnë murin midis Netflixit dhe distributorëve të mëdhenj kinematografikë.
Shërbimi për streaming ka hequr dorë nga distribuimi i filmit The Irishman ashtu që abonentët e tij ta kenë atë film në dispozicion sa më parë që të jetë e mundur, gjë që nuk u pëlqen investitorëve. Mendohej se Netflixit mund t’i pëlqejë mundësia që filmi të hyjë në garë për Oscar dhe për këtë arsye do të pajtohej për kino distribucion, por prapë nuk mundën të arrijnë marrëveshje me zinxhirët e mëdhenj kinematografik si AMC dhe Cineplex.
The Irishman do të shfaqet në disa kinema më të vogla dhe atë më 1 nëntor, dhe 26 ditë më vonë, ose më 27 nëntor, do të jetë në dispozicion në Netflix ashtu siç ishte rasti edhe me filmin “Roma” të Alfonso Cuarón vitin e kaluar, shkruan KOHA Ditore. Netflixi atëherë e pranoi se përvoja e kinemasë ishte diçka e veçantë, por prapë insistoi që filmi i tyre të gjendej pas dy ose tre javësh në streaming, gjë që në asnjë mënyrë nuk u përshtatet kinemave të mëdha dhe atyre që zgjedhin filma për kandidaturë për Oscar, të cilët këmbëngulin që të kenë të paktën 90 ditë midis datës kur e ka filmi premierën në kinema dhe kur shfaqet në streaming.
Në Netflix ekzistoi vullneti për një periudhë prej një muaji midis shfaqjes në shërbimin e tyre dhe në një moment anëtarët e Akademisë ishin të gatshëm të dakordohen për 30 ditë, por deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Duke marrë parasysh faktin se shërbimet e tjera për streaming po vijnë së shpejti, është vetëm çështje ditësh kur anëtarët e Akademisë do të dakordohen për një periudhë më të shkurtër.
“The Irishman” është xhiruar sipas librit të vitit 2004, “I Heard You Paint Houses” të Charles Brandt, dhe e tregon historinë e një mafiozi që po vdes, i cili pretendon se e ka luajtur një rol në zhdukjen e Jimmy Hoffas. Në rolet kryesore janë Robert De Niro, Al Pacino, Joe Pesci dhe Harvey Keitel. Produksioni i filmit raportohet se kushtoi rreth 200 milionë dollarë. /KultPlus.com