Filmi i Ilirjan Himajt selektohet në festivalin kualifikues për Oscars

20 Shtator, 2017 - 7:19 pm

‘Memory’ selektohet për të qenë pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 31-të të ‘Edmonton International Film Festival’ i cili do të mbahet nga 28 shtator deri më 7 tetor dhe njëherësh është njëri ndër festivalet kualifikuese për ceremoninë Oscars.

Lajmin për selektim të ‘Memory’ e ka bërë të ditur për KultPlus, vetë regjisori i filmit Ilirjan Himaj, i cili ka treguar se filmi i tij shfaqet më 4 tetor si premierë Kanadeze.

‘Memory’, premierën botërore e pati dhënë në edicionin e 65-të të ‘Columbus International Film + Video Festival’, në Ohio të USA i cili njëherësh është edhe festivali më i vjetër i filmit në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Poashtu ky film i metrazhit të shkurtër i Himajt, ka qenë pjesë i edicionit të 50-të të ‘Humboldt International Film Festival’ në Kaliforni, ku dhe është shpërblyer me dy çmimet kryesore të festivalit, ‘Best of Narrative’ dhe ‘Best of Fest Overall’.

Ndërsa si premierë evropiane ‘Memory’ që sjellë në rolin kryesor Xhevat Qorraj, është shfaqë në ‘Festival Internacionale de Cine de Lanzarote’ festival ky i akredituar nga akademia spanjolle Goya.

Filmi i Ilirjan Himajt, flet për plakun Sylë, i cili del nga shtëpia dhe si pasojë e sëmundjes së alzaimerit nuk arrin të gjejë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Producent i këtij filmi është Agron Shala dhe Latif Hasolli ndërsa drejtor fotografie është Latif Hasolli. Filmi është realizuar me vetëfinancim dhe kontribut nga vetë ekipi i tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme