9 Nëntor, 2017 - 4:37 pm
‘Memory’, një film i regjisorit kosovar, Ilirjan Himaj do të shfaqet këtë të premte në Festivalin e Filmit në Virxhinia, shkruan KultPlus.
Kësisoj Ambasada e Kosovës në Uashington, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka ftuar të gjithë adhuruesit e filmit që të shkojnë në këtë festival dhe të shohin këtë film nga Kosova.
“Filmi i shkurtër nga Kosova “Memory” me regji të Ilirjan Himajt, do të shfaqet këtë të premte në Festivalin e Filmit në Virxhinia. Ju ftojmë të gjithë juve entuziastë të filmit që të vini e ta shihni këtë film si dhe filmat e tjerë që do të shfaqen në këtë festival”, thuhet në njoftimin e ambasadës kosovare.
‘Memory’ sjellë rrëfimin e plakut Sylë, i cili është i sëmurë me Alzaimer. Ai del nga shtëpia për të blerë një lodër për nipin e tij. Në përballje me sëmundjen, të ftohtit e dimrit dhe reshjet e borës, ai nuk arrin të kujtojë rrugën e kthimit për në shtëpi.
Ky film është jetësuar nga aktorët: Xhevat Qorraj, Igballe Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi, Agron Shala. Ndërsa filmi “Memory” është realizuar me skenar dhe regji të Ilirjan Himaj kurse për Drejtor Fotografie dhe montazher ka Latif Hasollin, producent i filmit është Agron Shala ndërsa kompozitor Memli Kelmendi.
Pjesë e festivalit “Virginia Film Festival” do të jenë shumë figura me renome botërore dhe vlen të theksohet se do të jetë edhe regjisori i madh Spike Lee dhe aktori i nominuar për Oscar dhe Golden Globe William H.Macy./ KultPlus.com