Filmi kosovar “Toka brenda meje” triumfues në Estoni, juria: Ky film guxon të eksplorojë dhe arrin të bëhet universal

28 Nëntor, 2022 - 1:29 pm

Filmi i metrazhit të gjatë artistik “Toka brenda meje” me regji nga Fisnik Maxville, ka fituar çmimin “Filmi më i mirë debutant” në festivalin e filmit Tallin Black Nights në Estoni, njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, njëherit edhe festival i kategorisë “A”, i mbajtur përgjatë datave 11-27 nëntor 2022.

Për suksesin e filmit sot ka reaguar edhe regjisori i filmit, Fisnik Maxville, i cili është shprehur i lumtur dhe falënderues për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë projekt.

“Pra, shumë mirënjohës, faleminderit të gjithë të përfshirëve në këtë projekt të çmendur dhe jurinë fantastike”, shkruan regjisori i cili tutje ka ndarë me ndjekësit e tij edhe deklaratën e jurisë e cila ishte e përbërë nga: Sebastian Meise, Therese Malvar Pippa Cross, Jean des Forêts.

“Me personazhe të vërteta, skena të fuqishme që mbeten dhe një histori të pasur, prekëse, ky film guxon të eksplorojë kompleksitetin e konfliktit vdekjeprurës dhe arrin të bëhet universal, duke përkthyer politiken në personale.

Pa gjykuar, regjisori na drejton në mënyrë të sigurtë përmes një narrative shumështresore, të ndërthurur, duke u dhënë aktorëve të tij hapësirën për shfaqje të vërteta dhe të përzemërta. Çmimi i filmit më të mirë në konkursin e parë të metrazhit të gjatë shkon për The Land Within.”

“Toka brenda meje” është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Federal Office for Culture, Cinéforom, Loterie romande, Media Desk Suisse, Suissimage dhe FOCAL, në bashkprodhim me RTS Radio Télévision Suisse. 

Filmi përcjellë Remon i cili pas vitesh në mërgim kthehet nga Gjeneva në vendlindjen e tij në Kosovë. Dashuria e tij e parë, Una, e thërret për ta informuar për vdekjen e afërt të patriarkut të familjes dhe zhvarrosjen e një varri masiv. Duke u kthyer në fshatin e tij pas një mungese dhjetë vjeçare, Remo do të duhet të përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.

Filmi ka për producent Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin. Në rolet kryesore luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi. / KultPlus.com

Të ngjajshme