8 Prill, 2025 - 7:21 pm
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në festivale, filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, do të ketë premierën spanjolle në edicionin e 53-të të Huesca International Film Festival.
Ky festival i njohur ndërkombëtarisht, i cili zhvillohet çdo vit në qytetin Huesca të Spanjës, është një nga ngjarjet më prestigjioze për filma të shkurtër. I themeluar në vitin 1973, Huesca është një festival kualifikues për çmimet Goya dhe Academy Awards, dhe gjithashtu njeh punën e shumë regjisorëve nga e gjithë bota.
Filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, është përzgjedhur në garën zyrtare të dokumentarëve, duke u bërë pjesë e listës ekskluzive të 15 filmave dokumentarë të shkurtër që do të konkurojnë për çmimet e festivalit. Ky është një arritje e madhe për filmin dhe gjithë ekipin e tij, dhe një mundësi e shkëlqyer për ta paraqitur punën tonë para një audience ndërkombëtare.
Është një gëzim i madh dhe një nder i veçantë që “Krahët e Punëtorëve”, një film nga Kosova, do të shfaqet në një skenë të tillë të rëndësishme në Spanjë./ KultPlus.com