30 Janar, 2024 - 10:14 am
Filmi “Krahët e punëtorëve” nga regjisori Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili është shprehur kjo arritje shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.
“E nisëm mbarë vitin në kinematografi. Filmi “Krahët e punëtorëve” i regjisorit tonë Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A. Edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.
Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, shkruan ministri Çeku.
Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.
Xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, filmi është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com