Filmi ‘LAST EXIT’, vazhdojnë xhirimet e fundit në Zvicër

30 Mars, 2024 - 12:35 pm

Vazhdojnë xhirimet e projektit filmik të metrazhit të gjatë artistik ‘LAST EXIT’, me skenar dhe regji të Bekim Gurit e me producent Mumin Jashari.

Pas përfundimit të xhirimeve në Kosovë po vazhdojnë xhirimet edhe në Zvicër (Basel, Gjenevë) ku një pjesë e ekipit të filmit ka filluar të realizoj skenat e filmit sipas skenarit me aktorët: Bajrush Mjaku, Teuta Ajdini Jegeni, Agron Shala, Fjolla Muhaxheri, Gabriella Scharnitzky, Kasem Hoxha, Arjeton Osmani, Veton Gashi, Avni Dalipi e Aurita Agushi, Edon Rizvanolli e Labinot Lajci, Albulena Bokshi etj.

Xhirimet në Zvicër do të vazhdojnë deri me datë 31/03/2024.

“Deri tani gjithçka ka shkuar mirë dhe ka vazhduar sipas planifikimit pa ndonjë ndryshim që nga dita e parë e xhirimeve, fal punës se palodhshme të nje ekipi të mrekullueshëm me Dop; Latif Hasolli, Ass1 e regjisë: Dina Morina, e Ass 2 Xheraldina Krasniqi-Xheri, tonin: Ilir Xheladini, me skenografi të Burim Berisha, kostumet: Hana Zeqa e me props: Egzona Kadriji, skriptere: Qëndresë Krasniqi e me Makeup Leushota Bytyqi e shumë të tjerë”, thuhet në një njoftim për media.

Xhirimet janë lehtësuar nga mbeshtetja e shumë institucioneve dhe dashamirëve të filmit duke mundësuar xhirime nëpër shumë hapsira.

Sinopsisi;

Pas gjetjes së eshtrave të djalit të tyre binjak Dritonit, i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, djali tjetër binjak i Fatimes dhe Fatmirit, Agroni, pëson aksident trafiku në Zvicër. Me të marr lajmin për gjetjen e eshtrave të vëllait të zhdukur, ai i aksidenton për vdekje dy persona në zebra për këmbësorë!

Agroni dënohet me 8 vjet burg!

Prinderit në moshë të shtyer (70 vjeçare) nuk besojnë se do të jetojnë aq gjatë sa për ta takuar edhe njëherë Agronin!

Ata provojnë dy herë të marrin viza për Zvicër por iu refuzohen.

Tentohet edhe në formë ilegale por prap dështojnë dhe kapen nga policia në Hungari, atyre u ndalohet hyrja në zonen Shëngen për 5 vjet.

Pas shumë përpjekjeve të dështuara ata zgjedhin “vdekjen” ose “Assisted Suicide” si mundesinë e vetme për ta takuar djalin e tyre në burg në Gjenevë të Zvicrës.

Ky film, prodhim i shtëpisë filmike Media Film Production nga Prishtina është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me mbështetje të Drejtorisë për Kulturë nga Komuna e Prishtinës me sponzorim nga Reiseburo Prishtina, Mahagoni-Pejë, Esquina Lorrach, Air Munich, Sky24, Uji Crystal e kafe Lavazza!/KultPlus.com

Të ngjajshme