Filmi ‘Martesa’ merr çmimin e kritikës në Estoni

2 Dhjetor, 2017 - 7:17 pm

Filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri ka fituar sot çmimin e kritikës FIPRESCI në pjesëmarrjen në Estoni.

“Martesa” është shpërblyer në Tallin Black Nighs Film Festival, atje ku edhe pati këtë javë premierën botërore.

Çmimi vjen nga FIPRESCI – International Federation of Film Critics, shkruan KultPlus.

Madje ky nuk është i vetmi çmim për filmin. Filmi ka marrë edhe çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në Gala mbrëmjen e organizuar sonte në Tallinn të Estonisë.

Mjaft e lumtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisorja falenderoi jurinë për çmimet dhe u shpreh: ‘Premiera e filmit në këtë festival ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Këtë film e kam bërë për dashurinë e pamundur mes dy njerzve të gjinisë së njejtë sepse për mua ndalimi i dashurisë në emër të një norme shoqërore është absurde. Dashuria nuk është krim përderisa ndalimi i saj është, dhe për këtë arsye këtë çmim ia kushtoj ndjenjës më të bukur – dashurisë.‘

Ndërsa producenti Keka Kreshnik Berisha ndër tjerash falenderoi të gjithë ekipën për punën fantastike që kanë bërë me shumë pasion e dashuri.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku tha: ‘Ky është një sukses i plotëmerituar për ekipën e filmit dhe një lajm shumë i mirë për kinematografinë e Kosovës.’

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese.

Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar. / KultPlus.com

Të ngjajshme