4 Maj, 2018 - 4:58 pm
Filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare në Transilvania International Film Festival në Rumani.
Filmi do të jetë një nga konkurrentët në edicionin e 17-të të festivalit që do të nisë me 25 maj në Cluj Napoca në Rumani.
Krahas filmit kosovar në këtë konkurrencë janë edhe “Touch me Not” nga Adina Pintilie dhe “Charleston” nga Andrei Cretulescu, dy filma fitues në Berlinale.
Festivali do të përfundojë me 3 qershor, shkruan KultPlus.
Filmi “Martesa” mbetet ndër produksionet filmike më të mira të viteve të fundit në Kosovë. Aktorët Genc Salihu, Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi – në rolet kryesore, kanë bërë të pamundurën që në fund projekti filmik të dalë sa më mirë.
Filmi thumbon temën e një trekëndëshi dashurie, ndërsa preket me temën e komunitetit LGBT.
Me datë 2 qershor do të shpallen edhe fituesit e festivalit, nga juria e përbërë nga Stephane Foenkinos, Dagur Kari dhe Rebecca Lenkiewicz. / KultPlus.com